Rajoni i Lombardisë është zona me numrin më të lartë të të prekurve dhe të vdekjeve në të gjithë Italinë nga koronavirusi. Por nga ana tjetër është dhe një nga rajonet me zhvillimin më të lartë ekonomik dhe sistemin shëndetësor të aftë për të përballuar situata krize. Por një pandemi e tillë si koronavirusi po e vë në gjunjë Lombardinë dhe Italinë ditët dhe javët e fundit.
Italia është vendi ku qindra mijëra shqiptarë, ndër ta dhe mijëra durrsakë jetojnë prej vitesh apo dekadash tashmë. DurrësLajm ka kontaktuar me njërin prej tyre, Arben Myrtën, i larguar që në fillim të viteve 90, drejt Italisë dhe që prej vitesh jeton në Saronno, Milano. Intelektuali nga Durrësi, që prej vitesh punon si drejtor teknik në kompaninë ndërkombëtare Certis, prej thuajse dy javësh është izoluar së bashku me bashkëshorten dhe vajzën adoleshente në mes të zonës së kuqe. Efektet negative janë të prekshme për të, kufizimet po se po, meraku se kur do të përfundojë kjo situatë e jashtëzakonshme është i madh, por nga ana tjetër është i bindur se masat drastike mund ta frenojnë përhapjen e virusit, që deri tani ka shkaktuar më shumë se 800 të vdekur në Itali.
Thuajse tërësisht i izoluar prej mëse dy javësh, Arbeni ka një apel edhe për bashkëqytetarët e tij durrsakë, qytetin ku fatkeqësisht u regjistrua viktima e parë e koronavirusit në vendin tonë.
“Së pari të rinjtë por dhe moshat e tjera, duhet të jenë të përgjegjshëm, të zbatojnë këshillat e institucioneve që të mos vihen nën presion spitalet në Shqipëri. Kjo për të evituar një situate të rëndë kudo, sidomos në Durrës ku ‘plagët’ dhe efektet e tërmetit të fundit janë akoma të prekshme”, – thotë ndër të tjera Arben Myrta.
Në të njëjtën kohë, Arbeni na dërgon edhe foto nga Saronno, i cili prej disa ditësh është thuajse i boshatisur krejtësisht. Rrugët janë të zbrazura, njerëz në rrugë nuk ka, ata janë mbyllur në shtëpi. Vetëm kjo masë drastike duket se mund të rezultojë efikase për të frenuar virusin vdekjeprurës.
Që nga fundi i shkurtit, Lombardia, rajoni ku ju jetoni prej vitesh është zonë e kuqe. Rajoni juaj ka numrin më të lartë të të sëmurëve dhe vdekjeve. Si po e përjetoni këtë situatë?
Situata është shumë e vështirë, më mirë të them e jashtëzakonshme. Italia nuk ka përjetuar një situatë të tillë në dhjetëvjeçarët e fundit. Zona më e prekur është pjesa veriore e vendit dhe kryesisht Lombardia, ku ne edhe jetojmë. Vështirësitë janë së pari në planin shëndetësor (me më shumë se 10.000 banorë të infektuar nga të cilët afro 850 të vdekur deri tani, kur specialistët thonë se nuk kemi arritur akoma pikun e epidemisë) por dhe në planin ekonomik, me një faturë që nuk dihet sa do të arrijë duke llogaritur që 4 rajonet më të prekura nga epidemia janë Lombardia, Veneto, Emilia-Romagna dhe Piemonte, të cilat kontribojnë me gati 40% të GDP. Këtyre i shtohen edhe efektet psikologjike (pasiguria, ankthi, frika, etj.) që shoqërohen me efekte masive, si veprime të pamenduara (dyndja në masë në supermerkata, apo kthimet masive të shumë italianëve nga veriu ne jug të vendit) apo edhe veprime të organizuara kunder rendit social siç eshte edhe rasti i revoltave masive ne burgje dhe perballjet me forcat e rendit….
Milano, kryeqyteti ekonomik dhe shkencor i Italisë, veç besimit tek mjekët e saj, po i falet këto ditë edhe ‘Madoninës’ që të ndihmojë qytetin nga kjo epidemi e rrezikshme. Une kam afro 30 vjet që jetoj në Itali, dhe nuk e kam përjetuar asnjëherë një situatë të tillë.
Si ka ndryshuar jeta juaj e përditshme gjatë kësaj periudhe?
Jeta e përditshme ka ndryshuar shumë, me kufizime të veprimtarisë normale ditore, të cilat priten të shtohen në ditët që do të vijojnë, lidhur me situatën e përkeqësuar në Lombardi. Shkollat janë mbyllur ka afro dy javë dhe rifillimi i tyre duket i largët, ndalimi i të gjitha udhëtimeve për punë brenda dhe jashtë Italisë, ndërkohë që kemi ndaluar edhe frekuentimin e miqve dhe vendtakimeve me shumë persona. Dalim vetëm për shërbimet dhe nevojat e domosdoshme të familjes, duke futur dhe shëtitjet (e shkurtra) me qenin tonë Tina, e cila nuk kupton pse edhe me ditët e bukura të pranverës shëtitjet janë të rralla dhe të shkurtra.
A keni kontakte me shqiptarë të tjerë në Itali? Si po e përjetojnë ata këtë periudhë?
Kemi kontakte me shumë miq, shqiptarë ose të tjerë, me të cilët dëgjohemi dhe shkëmbejmë mendime për gjendjen apo veshtirësitë e krijuara. Shpesh më ka qëlluar këto ditë të kem thirrje apo mesazhe solidariteti nga miq apo të afërm shqiptarë, nga Shqipëria apo emigrantë në vende të tjera. Në raste të tilla, kujdesi që tregojmë për njeri tjetrin në ditë të vështira, është një virtyt i vyer i joni… Këto thirje apo kontakte janë një ‘ilaç’ anti-stres për të gjithë ne.
Ju punoni nga shtëpia, ndërsa bashkëshortja juaj shkon në punë çdo ditë, pasi është farmaciste. Si ndihet ajo, a ka frikë?
Ime shoqe është farmaciste dhe në kohë të vështira si kjo i bie të jetë në krye të detyrës, si të gjithë punonjësit e shëndetësisë, siç përcakton edhe Betimi i Farmacistit. Nga ana shpirtërore është më e ndjeshme javët e fundit, përpiqet për të ndihmuar sa mundet klientët me ato që ndodhen, pasi ka mungesa edhe në farmaci në ilaçe apo mjete mbrojtëse. Vetë ata, edhe pse në krye të detyrës, kanë punuar për një kohë të gjatë pa mjete mbrojtëse, me rrezik më të lartë për veten ose për familjen….
Ditën e mërkurë, në Durrës u konstatua vdekja e parë nga koronavirusi, por njerëzit akoma nuk e merrnin seriozisht sëmundjen vdekjeprurëse. Lokalet ishin të mbushura plot paraditen e sotme. A keni një këshillë për bashkëatdhetarët tuaj që jetojnë në Durrës?
Këshilla e vetme, edhe pse e përsëritur shpesh këto ditë, është ‘rrini në shtëpi dhe evitoni lëvizjet dhe grumbullimet e panevojshme’, thirrje që vjen nga të gjithë ekspertët italianë, por që tani po bëhet një thirrje e ‘frikshme’ pasi vjen nga mjekët që janë në pavionet e reanimacionit në Lombardi, nga mjekë që po sëmuren edhe ato vetë, nga ata që po i zë gjumi nga lodhja në pavione apo më keq akoma, nga ata që kanë frikë se po të vazhdojë kështu nga pamundësia për të ndihmuar të gjithë do të detyrohen të ‘zgjedhin’ kë të ndihmojnë e kë jo. Së pari të rinjtë por dhe moshat e tjera, duhet të jenë të përgjegjshëm, të zbatojnë këshillat e institucioneve që të mos vihen nën presion spitalet në Shqipëri. Kjo për të evituar një situate të rëndë kudo, sidomos në Durrës ku ‘plagët’ dhe efektet e tërmetit të fundit janë akoma të prekshme.
M.B.