Deri më tani, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronaviru ka tejkaluar 119 mijë persona në botë ndërsa më shumë se 4200 njerëz kanë vdekur dhe më shumë se 66,000 janë shëruar.

Teksa harta e koronavirusit sa vjen e zgjerohet, pasi mbrëmë u konfirmua rasti i parë edhe nga Turqia, ende janë dy shtete të cilat nuk janë prekur nga ky virus. Bëhet fjalë për Malin e Zi dhe Kosovën.

Edhe pse ende nuk janë raportuar raste të infeksionit me koronavirus në Mal të Zi, autoritetet shëndetësore malazeze kanë vendosur masa të rrepta parandaluese, të cilat përfshijnë ndalimin e udhëtimit në vendet më të prekura, si dhe ardhjen e udhëtarëve nga ato vende.

Udhëtimet për në Itali, Spanjë, Iran dhe Kinë janë të ndaluara. Lista nuk është përfundimtare dhe do të ndryshojë ndërsa zhvillohet situata epidemiologjike. Gjithashtu, ata janë të ndaluar të vijnë nga këto vende në Mal të Zi”, njoftoi ministri i Shëndetësisë Kenan Hrapovic në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp.