Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar në lidhje me deklaratën e sotme të kryeministrit Albin Kurtit për heqjen e taksës ndaj Serbisë.

Në një postim në Facebook, Haradinaj i bën thirrje Kurtit që të mos e heqë taksën për rikthim në proces të konsumuar e komprometuar, por të mundësojë një kontratë finale për njohje reciproke në kufijtë ekzistues.

Haradinaj në fund të shkrimit ka porositur Kurtin se nëse shkon rrugës së parë për kontratën finale për njohje, do ta ketë përkrahjen e tij dhe të Aleancës, por nëse vazhdon me ofertën për kthim në proces të konsumuar e komprometuar, ai ka pohuar se do e mbajnë përgjegjës Kurtin për pasojat.

POSTIMI I HARADINAJT

Albin,

Ke ofertu heqjen e taksës, e po të ofrohet kthim në procesin dialogues, tashmë të konsumuar e komprometuar.

Mos e heq taksën për rikthim në proces të konsumuar e komprometuar, por oferto për kontratë finale për njohje reciproke në kufijtë ekzistues.

Kosova i ka dakorduar tri të drejta: Asociacionin në bazë të Kushtetutës, të drejta të zgjeruara për komunitetin serb sipas orientimit të Planit të Ahtisarit, dhe status të veçantë për Kishën Ortodokse Serbe sipas Projektligjit për Liritë Fetare.

Oferto heqjen e taksës për Kontratën Finale për njohje në kufijtë ekzistues, jo për rikthim në proces dialogues tashmë të konsumuar e komprometuar.

Nëse shkon rrugës së parë për kontratën finale për njohje, do ta kesh përkrahjen time dhe të Aleancës. Nëse vazhdon me ofertën për kthim në proces të konsumuar e komprometuar, do të të mbajmë përgjëgjës për pasojat.

RH