Në portin e Durrësit janë prenotuar 20 kroçera dhe veliera për sezonin e ardhshëm turistik.

Nga Qendra e Informacionit në Autoritetin Portual, mësohet se anija e parë turistike në port do të jetë kroçera “La Belle Del L’Adriatique”, më 5 maj të këtij viti. Më pas kjo kroçerë me vizitorë të huaj, do të mbërrijë në Durrës edhe pesë herë të tjera, deri 22 shtatorin e ardhshëm.

Qendra e Informacionit njofton se më 9 maj pritet edhe kroçera “Spirit of Discovery”, me gjatësi 237 metra. Kjo anije e madhe turistike, e ndërtuar vitin e kaluar, vjen në qytetin-port për herë të parë.

“Sirena”, “Seven Seas Voyager”, “Amera”, janë disa nga emrat e njohur të anijeve turistike, që kanë vizituar Durrësin edhe vitet e kaluar, ndërsa kësaj liste i shtohen edhe kroçerat “Silver Shadow”, “Caledonian Sky” apo “Sea Burn Ovation”, që do të kryejnë për herë të parë lundrime drejt portit më të madh të vendit.

Këtë verë në portin e Durrësit do të akostohet dy herë edhe veliera “Sea Cloud”, e cila vjen me turistë të huaj prej shumë vitesh.

Gjatë vitit 2019 në portin më të madh të vendit u akostuan 19 kroçera dhe veliera me 4,503 turistë, si dhe 430 jahte të madhësive të ndryshme.