Nga Gëzim Kabashi
Nuk njoh njeri që të ketë lindur më 15 shkurt, në ditën e Vetmisë, dhe të ketë më shumë shokë e miq se sa ka Pirro Dollani. Bashkëqytetarë, ish-nxënës, kolegë
mësues apo krijues, e respektojnë njëlloj, pavarësisht se prej 26 vitesh ai ka zgjedhur të jetojë në SHBA.
Së bashku me familjen , Pirro është kthyer në një mbështetje të rëndësishme për bashkëatdhëtarët që mbërrijnë rishtas në “tokën e premtuar”. Ndërsa çdo vit ai sjell rregullisht në gjuhën shqipe një përkthim të ri nga autorë të njohur e më pak të njohur, kryesisht amerikanë, nga një letërsi pak e lëçitur në vendin tonë.
“Beti-tregime të zgjedhura” (2018), “Kokoro” nga Natsume Soseki (2017), “Ura e Mbretit Shën Luigj” nga Thornton Wilder (2016); “Piktorja që sfidoi kohën” nga
Robert Baird Shuman (2015), dhe më parë “Hoteli I bardhë” nga D. M. Thomas (2014), “Bel canto” nga Anne Patchet; “Jehona e kujtesës” nga Richard Power;
“Lamtumirë fjalë” nga Hart Wegner; “Virgjëresha shqiptare” nga Alice Munro; “Pragu i ferrit” nga Michel Hugo; “Duke lexuar Turgenievin” nga William Trevor;
“E vërteta dhe trillimi në librin Kodi da Vinçi”, janë disa nga librat e përkthyer nga Pirro Dollani.
Pirro Dollani do të festojë sot 70-vjetorin e lindjes mes familjarëve dhe të afërmëve në Las Vegas, mijra km larg prej këtu. Do ti pëlqente të ishte mes shokësh dhe miqsh në Durrës, ashtu siç bën prej vitesh në çdo sezon veror.
Verën që kaloi munguan përkthimet e përvitshme, përmes të cilave ai i ka dhënë në dorë lexuesit emra më të shquar të letërsisë së kontinentit amerikan. Kohët e fundit miku ynë Pirro Dollani është përballur me një sfidë shumë më të vështirë se sa përkthimi. Përballë tij këtë herë është sëmundja, por Pirro do tia dalë përsëri, falë kujdesit mjekësor dhe vullnetit të pakufi, por edhe të dashurisë së ndërsjellë, me të cilën e duan dhe i do njerëzit.
Gjithnjë përballë sfidave
Ai e ka zgjedhur shumë herët modelin e tij të preferuar: babain Dudë, njeriun që pas burgimit të padrejtë komunist për shkak të shkollimit dhe njohjes së gjuhës
angleze, punoi gjithë jetën si llustraxhi për të mbajtur familjen. Njëlloj si i jati, Pirro ende nxënës, nuk është dorëzuar edhe kur e përjashtuan nga liceu artistik në Tiranë, ku kishte mbërritur në sajë të pasionit për violinën; edhe kur punoi si punëtor në disa ndërmarrje të qytetit, pa hequr dorë nga shkollimi ne filialin universitar të Durrësit; kur në të njejtën kohë falë dashurisë për muzikën bëhej instrumentist në Orkestrën sinfonike dhe në varietenë e Durrësit; nuk dorëzohet edhe kur pasi martohet e venë të jetojë në një nga banesat e çuditshme të qytetit, përkundrazi, e bën familjen e tij të vogël, bashkëshorten Frida dhe fëmijët, Gjergj dhe Arba, mbështetjen më të sigurtë për ta përballuar jetën.
Pirro Dollani shfaq anën e tij më të mirë, kur si mësues në shkollat 8-vjeçare apo në gjimnazin “Gjergj Kastrioti” ku arrin pas ndërhyrjeve të njerëzve që e duan, ai
dallon dhe nxit djemtë e vajzat e talentuar në muzikë, art apo letërsi. I vlerëson ata dhe i drejton në fushat ku do të japin aq shumë në të ardhmen. Me të njejtin seriozitet kryen detyrat e para në tranzicionin postkomunist, si shef i Kulturës në bashki, si dhe atë të drejtorit të Bibliotekës së Durrësit. Shumë kohë më vonë edhe në Universitetin e Nevadës, në Institutin e Filmit, ai do të njohë dhe do të fitojë miqësinë e figurave të shquara të kulturës botërore dhe do të punojë intensivisht deri kur del në pension. Pasioni për përkthimin si lidhje me Atdheun.
Në një intervistë të disa viteve më parë Pirro Dollani ka treguar se hyri në botën e përkthimit “kur Katedra, në të cilën studioja më kërkoi të sjell në gjuhën angleze
novelën “Ditë Kafenesh”; (në anglisht “Coffeehouse Days”;) të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare. Ai kujton vitin 2004, kur ky përkthim u publikua në Las Vegas si botim mjaft luksoz me letër të prodhuar enkas për të, me kopertinë metalike. Për më tepër, të gjitha kopjet janë me autografin e autorit Ismail Kadare.
Pirro tregon se Instituti Ndërkombëtar i Letrave në SHBA prodhoi vetëm 125 kopje dhe çmimi për një libër ishte … 780 USD. Që nga viti 2004 kur në Durrës ushtoi për herë të parë sirena e festivalit ndërkombëtar të poezisë “Poeteka”; Pirro Dollani ka sjellë në Shqipëri disa nga emrat më të njohur të letrave amerikane si, shkrimtari Hart Wegner i cili në 2007 referoi mbi “Yjet e zinj të Paul Celanit”; poetesha Claudia Keelan që në Poetekën 2008 mbajti kumtesën; Kujtojmë “Wallace Stevens” apo Tom Sleigh në 2009 që referoi “Surealizmi përballë klasicizmit ose përse bëj vrima te toga ime”. Bashkë me organizimin Pirro Dollani ka përkthyer edhe kumtesat e tyre nga anglishtja në shqip.
Një tjetër bashkëpunim i rëndësishëm ai me Teatrin Kombëtar në vitin 2010, kur Dollani bëri bashkë; regjisorin dhe aktorin hollivudian Clarence Gilliard dhe aktorin e njohur shqiptar Mirush Kabashi, bashkëregjisorë dhe intepretë kryesorë në dramën”; Koleksioni i përhershëm; të Tomas Gibson, përkthyer mjeshtërisht nga durrsaku i mirë.
“E kuqja” nga Xhon Llogan, kushtuar jetës së piktorit Mark Rothko, është drama tjetër që Pirro përkthen si pjesë repertori e ardhshme, por realizimi i saj mbeti gjithnjë një projekt. “Nuk ka lidhje më të fuqishme me Shqipërinë dhe Durrësin, vendlindjen time, sesa lidhja gjuhësore, që realizohet nëpërmjet përkthimeve”-thotë i sigurtë ai.
Pirro Dollani është me siguri nga ata burra që ka lënë në vendin nga ku largohen një boshllëk intelektual, krijues dhe njerëzor. Njëkohësisht është nga ata shqiptarë që kontribuojnë çdo ditë për ta bërë më të mirë Amerikën, duke i dhënë edhe asaj frymën e Shqipërisë së vërtetë.