Nga Gladiola Jorbus

Orakulli i Delfit, i pozicionuar në një vend të madh të shenjtë, kushtuar perëndisë Apollon ishte një nga orakujt kryesorë të Greqisë antike të periudhës arkaike. Ai gjendej në Luginën e Pleistos, ngjitur me malin Parnas, afër fshatit aktual Delfi, në Focis (Greqi), rreth 500 m mbi nivelin e detit dhe 8 km larg nga Gjiri i Korintit.

Nga shkëmbinjtë e malit rridhnin burime të ndryshme. Një ndër më të njohurit dhe më të vjetrit ishte shatërvani Castalia, i rrethuar nga një pyll me dafina kushtuar të njëjtit perëndi.

Emri Delfi rrjedh nga e njëjta rrënjë si δελφις, “mitër” dhe mund të tregojë venerimin arkaik të Gaiës në vend. Apolloni është i lidhur me vendin nga epiteti i tij Δελφίνιος, “Delfin”. Epiteti është i lidhur me delfinët. Legjenda tregon se si Apolloni erdhi për herë të parë në Delfi në formën e një delfini, duke mbajtur në shpinë priftërinjtë e Kretës. Emri Homerik i orakullit është Pytho (Πυθώ). Një tjetër legjendë synon të tregojë se Apolloni udhëtoi për në Delphi nga veriu dhe u ndal në Tempe, një qytet në Thesali, për të mbledhur dafinë, e konsideruar një bimë e shenjtë. Për të përkujtuar këtë legjendë, fituesit e Lojërave Pitiane merrnin një kurorë dafine të kultivuar në tempull.

Legjenda dhe mitologjia tregojnë se në malin Parnas takoheshin muzat, perëndeshat e vogla të këngës dhe poezisë, së bashku me nimfat e burimeve, të quajtura Najada. Në këto takime, Apolloni luante në lirë, ndërsa hyjnitë këndonin.

‘Njih vetveten’ është një nga maksimat më të rëndësishme të Orakullit të Delfit, e bërë e njohur nga Sokrati i famshëm. Kjo frazë është sa provokuese, aq sa edhe një alternativë e hapur. Mund të njohësh limitet e tua, mund të synosh të ndriçohesh së brendshmi, mund të modifikohesh.

Por kjo frazë nuk ishte e vetmja e këtij orakulli të mirënjohur. Sot njihen rreth 147 të tilla. “Njih vetveten” mbetet më e parapëlqyera, më dinakja, ndaj të gjithë e dinë. Maksima të tjera, ndoshta më pak të përmendura, por të dëgjuara janë: ‘Ndiq Zotin’, ‘Bindju ligjeve’, ‘Ji mirënjohës’, ‘Ndero perënditë’, ‘Planifiko të martohesh’, ‘Mos mallko fëmijët’, ‘Fol mirë për të gjithë’, ‘Gjyko në mënyrë të pakorruptueshme’ apo ‘Komando mbi gruan tënde’ që do të zemëronte të gjitha feministet e botës.

Orakulli i Delfit mbetet vendi i shenjtë ku ndodhi ‘ierogamia’, pra martesa e shenjtë mes qiellit – Uranit dhe tokës – Gjeas. Gjithashtu, orakulli i famshëm shërbeu dhe si instrument për betejat politike, duke u treguar dhe i njëanshëm hera-herës. P.sh.: në luftën e Peloponezit mbajti anën e spartanëve, në kundërshtim me perëndeshën Athina, që favorizonte athinasit. Dihet nga historia se këta të fundit e humbën luftën, dhe kjo shënoi fundin e periudhës së artë për qytetërimin helen.

Pavarësisht nga gjithçka, në Greqi nuk humbi nderimi ndaj priftëreshave të Delfit dhe deri në fillim të shekullit IV, turma besimtarësh u drejtoheshin atyre me devocion.

Sipas Plutarkut, i cili dikur shërbeu si prift në Delfi, Pythia (priftëresha Pythia ose vetë orakulli, pra meshtarja që qëndronte në shenjtëroren kushtuar perëndisë Apollon), vlerësohej shumë, sepse besohej se kanalizonte profecitë nga vetë Apolloni, ndërsa i transmetoheshin në një gjendje transi. Ajo ishte mbi 50 vjeç, jetonte e ndarë nga i shoqi dhe vishej si vajzë e re.

 Së pari, Pythia futej në dhomën e brendshme të tempullit (Adyton). Pastaj, ulej në një trekëmbësh dhe thithte tymëra ndriçuese nga një hapësirë poroze.

 Në këtë pikë, priftëresha binte në ekstazë dhe murmurinte fjalë të pakuptueshme për të vdekshmit e zakonshëm. Fjalët e saj interpretoheshin nga priftërinjtë e shenjtërores dhe përktheheshin në gjuhën e zakonshme, për të dhënë përgjigje për ata që kishin ardhur të pyesnin.

 Sidoqoftë, parashikimet zakonisht qëndronin të hapura duke u lënë vend kështu, edhe interpretimeve ambivalente. Gjithsesi, zgjedhja dhe zgjidhja në fund u mbetej në dorë të interesuarve. Në fund të fundit, gjithsecili është vetë përgjegjës për veprimet e tij. Por mesazhi i Orakullit të Delfit është i qartë. Pikësëpari – Njih vetveten!