Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ndarë sot urdhrin “Hero i Kosovës” për policin Sami Thaqi, i cili u vra të martën mbrëma në Zhur të Prizrenit, gjatë një bastisjeje në një shtëpi.
Presidenti Thaçi shkruan në Facebook, se sakrifica e policëve në mbrojtje të rendit dhe ligjit i obligon që të punojnë edhe më shumë për një Kosovë të qetë e stabile dhe një vend më të mirë për gjithë qytetarët.
“Polici i rënë në krye të detyrës, Sami Thaqi, është heroi më i ri i Republikës së Kosovës. Duke u bazuar në kompetencat e mia kushtetuese, sot për policin Sami Thaqi ndava urdhrin “Hero i Kosovës”.
Heroizmi i Samiut, Enverit, Izetit dhe i dhjetëra policëve të rënë në krye të detyrës është krenari e Republikës së Kosovës. Sakrifica e tyre në mbrojtje të rendit dhe ligjit na obligon që të punojmë edhe më shumë për një Kosovë të qetë e stabile dhe një vend më të mirë për gjithë qytetarët tanë. HTH”.





