Nga Mila Ballhysa

1744 banorë të Durrësit vazhdojnë të jenë të sistemuar në hotelet përgjatë vijës bregdetare që nga ditët e para pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit. Megjithëse ishte paralajmëruar se data 6 janar do të ishte dita e fundit e qytetarëve në hotele, numri i madh i tyre tregon se ende ekziston kaosi përsa i përket sistemimit të tyre në banesa të përkohshme deri në ndërtimin e shtëpive të tyre të shembura apo të shpallura të pabanueshme.

Shtabi i Emergjencës, por edhe drejtues të bashkisë Durrës kanë bërë disa herë apel që këta qytetarë të largohen drejt banesave me qira, pasi po lëvrohet bonusi i qirasë. Por numri i qytetarëve që kanë përfituar bonus qiraje (deri me datë 9 janar janë 1149 familje, që kanë përfituar subvencionimin e qirasë) është i vogël krahasuar me numrin prej 3863 familje që janë miratuar nga Këshilli Bashkiak dhe me numrin në total të familjeve, të cilat kanë aplikuar për subvencionimin e qirasë, që në datë 9 janar ka arritur në 4317.

Procedura që po ndiqet për bonusin e qirasë

Këshilli Bashkiak i Durrësit deri më tani ka miratuar dy lista me familjet e mbetura të pastreha nga tërmeti i 26 nëntorit dhe që do të trajtohen me bonus qiraje. Verifikimi në terren i familjeve të dëmtuara nga lëkundja shkatërrimtare sizmike vazhdon ende dhe një listë tjetër pritet të miratohet nga KB-ja.

Nga ana tjetër, nga data 7 janar janë ngarkuar 16 punonjës, të cilët do të merren me menaxhimin e të gjithë proçesit të subvencionimit të qirasë që nga faza e aplikimit e deri në përfundim.

Autoritetet janë duke i dërguar Institutit të Ndërtimit akt-konstatimet e bëra në terren për t’u firmosur e vulosur. Deri tani janë dërguar 940 akt konstatime për t’u firmosur e vulosur, ndërsa me datë 8 janar janë printuar 23 akt konstatime për t’u dërguar dhe këto në Institutin e Ndërtimit.

Të mërkurën, datë 8 janar, janë rregjistruar 77 aplikime të reja për përfitimin e subvencionimit të qirasë dhe deri më sot në total janë 4317 familje, të cilat kanë aplikuar për subvencionimin e qirasë.

Lista me personat që i miratohet bonusi i qirasë dërgohet nga Bashkia Durrës në mënyrë periodike. Qytetaret të cilët janë përfitues, në momentin e akordimit të shumës në bankë janë të detyruar të lirojnë hotelin.

Por krahas Durrësit, edhe dy bashkitë e tjera të qarkut kanë dëmtime të shumta nga tërmeti dhe me mijëra banorë kanë mbetur të pastrehë. Ashtu si në qytetin bregdetar, edhe në Krujë e Shijak, procesi i akordimit të bonusit të qirasë po ecën ngadalë.

Bashkia e Krujës deri më tani ka 925 aplikime për përfitimin e bonusit të qirasë nga të cilat 245 janë akorduar, ndërsa në bashkinë Shijak ka 400 aplikime për përfitimin e bonusit të qirasë, por ende nuk ka asnjë aplikim të aprovuar.

Sistemimi në hotele

1744 banorë të Durrësit vazhdojnë të jenë të sistemuar në hotele dhe ende nuk ka një datë konkrete se kur do të lirohen strukturat hoteliere nga të pastrehët e tërmetit.

Janë gjithsej 13 hotele, ku janë sistemuar banorët që vazhdojnë të qëndrojnë akoma në këto struktura në Durrës. Ndërkohë, burime nga Shtabi i Emergjencës bëjnë me dije se në hotel “Rafaelo”, në Lezhë, që mban numrin rekord 626 banorë dhe në dy hotelet e tjera “Frojdi” dhe “Ermir”, me respektivisht 98 dhe 213 banorë janë të sistemuar 937 qytetarë të Laçit, të mbetur të pastrehë nga tërmeti. Strukturat hoteliere në Durrës që kanë më shumë qytetarë janë “Bonita” që mban 359 banorë, “Fafa Premium” 354 banorë dhe “Diama” 285 banorë.

DurrësLajm po publikon më poshtë listën e plotë të hoteleve në Durrës dhe Lezhë, ku janë sistemuar banorët dhe numrin respektiv të qytetarëve të akomoduar në to:

Vendndodhja aktuale:

1

Hotel “Vala”

59

2

Hotel “Bonita”

359

3

Hotel “Eter”

0

4

Hotel “Casa”

84

5

Hotel “Pameba”

0

6

Hotel “Kolaveri”

157

7

Hotel “AS/IBIZA”

95

8

Hotel “Aler”

49

9

Hotel “Aler Luxury”

 

10

Hotel “Fafa Premium”

354

11

Hotel “Dolce Vita”

238

12

Hotel “Pishat e Buta”

0

13

Hotel “Diama”

285

14

Hotel “Rafaelo”

626

15

Hotel “Froidi”

98

16

Hotel “Ermir”

213

17

Hotel “Aragosta”

48

18

Hotel “Prestige”

16