Kontrolli në terren në objektet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 në bashkinë e Durrësit nuk ka përfunduar ende edhe pse ka kaluar një muaj e gjysëm nga lëkundja e frikshme. Në terren operojnë 11 grupe inspektimi (7 janë nga bashkia), të cilat kanë kontrolluar deri më tani 18.339 objekte. Statistikat e deritanishme, të cilat ende nuk janë të plota pasi inspektimet vazhdojnë, të lënë të kuptosh se Durrësi është goditur rëndë nga fatkeqësia natyrore.

DurrësLajm ka mësuar se në kategorinë DS4 dhe DS5, të cilat nënkuptojnë dëmtimet e rënda në objekte, janë respektivisht 582 dhe 205 godina. Pra rreth 800 objekte të dëmtuara rëndë, të cilat kanë nevojë për akt-ekspertizë të thelluar, fati i të cilave ende nuk dihet, bëhet me dije nga Shtabi i Emergjencave. Për këto godina me dëmtime të rënda nuk është marrë ende vendim nëse do prishen apo jo dhe për më tepër edhe nëse vendoset për prishjen e tyre nuk është përcaktuar si do të realizohet shembja, pasi bashkitë e qarkut të Durrësit nuk kanë fonde për kryerjen e këtij procesi.

Por edhe më i lartë është numri i objekteve që kanë dëmtime në kategorinë DS2 dhe DS3, ku përfshihen dëmet mesatare (dëmtime serioze), por që nuk prekin strukturën.

Të përfshira në kategorinë DS2 janë gjithsej në Durrës 1210 objekte, ndërsa në kategorinë DS3 804 objekte. Pra janë rreth 2000 godina me dëmtime serioze të krijuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Situata është mjaft e rëndë edhe në bashkinë e Shijakut, ku 583 godina janë me dëmtime të kategorisë DS4 dhe 284 me dëmtime të kategorisë DS5.

Ndërkohë me dëmtime DS2 janë 592 objekte dhe DS3 477 objekte. Në Bashkinë Shijak mungon inspektimi nga grupi i Institutit Teknik i Ndërtimit, për vijimin e çertifikimit të objekteve të cilësuar DS4, DS5.

Në total në qarkun Durrës, të regjistruara nëpërmjet I-pad janë 31.966 objekte të inspektuara.

Në një kohë që numri i objekteve që kërkojnë ndërhyrje për riparimin e tyre është mjaft i madh, deri më tani bashkia e Durrësit ka miratuar vetëm 24 leje të përshpejtuara. Gjithsesi, fakt që vlen të përmendet është se me zbatimin e këtyre lejeve dhe përfundimin e riparimeve u kthehen qytetarëve 889 apartamente.

Ndërkohë, bashkia ka dhënë edhe 5 leje për riparime objektesh shërbimi (hotel, reparti mekanik, institucion QKF, call center).

M.B.