Prej një muaji e gjysëm, të gjithë banorët e Durrësit të dëmtuar nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit janë në pritje të bonusit të qirasë, të një sistemimi të përkohshëm apo riparimit të banesave të tyre.

Në krahasim me numrin mjaft të lartë të objekteve të dëmtuara, riparimi i dëmeve ka nisur vetëm në një numër të kufizuar godinash, prandaj qytetarët e Durrësit qëndrojnë në pritje të një sinjali pozitiv nga qeveria apo bashkia për nisjen e procesit të rindërtimit.

Ditën e sotme, në bashki, është mbajtur mbledhja e rradhës e Shtabit të Emergjencave të Qarkut Durrës, por përveç një njoftimi mjaft të thatë, ku bëhen të ditura vetëm pikat e rendit të ditës, institucioni i pushtetit vendor nuk jep asnjë informacion mbi diskutimet dhe zgjidhjet e ofruara në mbledhje.

“Zhvillohet mbledhja e rradhës e shtabit të emergjencave të Qarkut të Durrësit nën drejtimin e kreut të këtij shtabi, zv/ministres së brendshme, Rovena Voda, me pjesëmarrjen e kryebashkiakut Zhuljen Varfaj, prefektit Roland Nasto, përfaqësues të disa ministrive, drejtuesve të drejtorive rajonale etj. Fokusi i diskutimeve në këtë mbledhje ishte:

· Ecuria e procesit të vlerësimeve të dëmeve nga grupet në terren.
· Situata e Bonusit të Qirasë.
· Situata e largimit të qytetarëve nga strukturat Hoteljere.
· Ecuria e procesit të dhënjes së Lejeve te Ndërtimit.
· Masat për implementimit te vendimit të Qeverisë datë 06.01.2020”,
– shkruhet në postimin që bashkia e Durrësit ka bërë në rrjete sociale.

Përveç faktit se deri më tani 1034 familje kanë përfituar bonusin e qirasë, nga 3863 familje përfituese të miratuara në mbledhjet e Këshillit Bashkiak Durrës asnjë transparencë nuk është bërë përsa i përket procesit të vlerësimit të dëmeve, largimit të qytetarëve nga strukturat hoteliere apo ecurinë e procesit të dhënies së lejeve të ndërtimit.

Madje bashkia e Durrësit nuk ka bërë publike as listën e ndërtuesve që kanë marrë përsipër riparimin e dëmeve në pallatet e ndërtuara prej tyre, ashtu siç i urdhëroi kryeministri Rama në mbledhjen e zhvilluar pak ditë pas tërmetit shkatërrimtar, sepse në të kundërt duhet të shkonin në burg.

Postimi i thatë i bashkisë nuk ka kënaqur as qytetarët durrsakë, të cilët kanë komentuar në faqen e bashkisë duke shprehur pakënaqësinë e tyre për mos dhënien e informacioneve dhe njëkohësisht duke denoncuar faktin se përcillen sa nga njëra zyrë e bashkisë Durrës në tjetrën, por nuk gjejnë zgjidhje për problemet e tyre.

“Kur fillon levrimi i bonusit te qerase se une jam ke lista e pare e akoma sme ka ardhe”,– shkruan një qytetar

“RreklamE kot shkon ne bashki me rregjistru shtepin qe eshte prish te bejn xhiro jo shko te ky jo ke ai”,- shkruan një tjetër.

“Po kur na del ai bonus qeraje ca u fol a u la nje dat???”, pyet një qytetar i Durrësit.

M.B.