Në javën e parë të vitit 2020, Durrësi ka qenë destinacion për 685 turistë të huaj. Ndërsa qyteti bregdetar po tenton të rimëkëmbet nga pasojat e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, të huajt vazhdojnë të tërhiqen nga ajo çfarë ofron qyteti 3000-vjeçar.

“685 turistë të huaj kanë ardhur për të vizituar Durrësin vetëm në javën e parë të këtij viti. Interesimi i turistëve është mjaft i madh pasi Durrësi ka çfarë ofron në çdo periudhë të vitit. Qyteti bregdetar nuk u ofron turistëve vetëm detin dhe rërën, por edhe turizmin kulturor, sitet e shumta e të magjishme arkeologjike ku të huajt mësojnë historinë e lashtë të një qyteti që edhe pse është goditur është ringritur sërish e më i fortë”,– njofton Autoriteti Portual Durrës, në një postim në rrjete sociale.

“Ky është një vit mjaft i rëndësishëm për Durrësin, vit i rindërtimit dhe i punës intensive i të gjithëve së bashku që ta kemi përsëri më të bukur se më parë Durrësin tonë të shtrenjtë e të lashtë, me të cilin krenohemi”, e mbyll postimin APD.