Udhëheqësi suprem i Iranit Ali Khamenei ka reaguar pas kundërsulmit me raketa ndaj dy bazave amerikane në Irak. Në fjalën e tij, Khamenei u shpreh se sulmi ishte “shuplakë në fytyrë” ndaj SHBA-ve duke mos i kursyer akuzat dhe paralajmërimet ndaj Amerikës dhe aleatëve të saj. Lideri suprem ka përmendur në fjalën e tij edhe Shqipërinë, edhe pse pa emër. 

Al Khameni ka folur për Shqipërinë duke e quajtur një vend të keq europian që po strehon armiqtë tanë.

“Është një vend shumë i vogël, por shumë djallëzor europian, ku elementë amerikanë bashkëpunojnë me tradhtarë iranianë dhe planifikojnë kundër Republikës Islamike. Dhe plani që kishin u pa qartë, me protestat që u mbajtën në Iran, pasi disa nga ata tradhtarë erdhën në Iran për të protestuar. Agjentë armiq nisën të zbatojnë planin për të sabotuar, vrarë dhe për të shkatërruar si qeverinë ashtu dhe kushtetutën tonë”,- tha Al Khameni.

Shqipëria ka pranuar Muxhahedinët iranianë në Shqipëri në vitin 2016 në bazë të një marrëveshje me SHBA-të.

Muxhahedinët konsiderohen grup terrorist nga Republika Islamike e Iranit dhe prej dekadash ndodhen në konflikt të hapur me regjimin atje. Shqipëria është i vetmi vend në Europë që ka strehuar muxhahedinët nga Irani, të cilët njihen si opozitë në vendin e tyre dhe janë kundër regjimit të liderit suprem. Ata mbahen në një kamp në Manëz, ku strehohen rreth 2.000 anëtarë. Kampi është 50 herë më i madh se një fushë futbolli dhe përshkohet nga mure të lartë të rrethuar me tela. Muxhahedinët e parë kanë ardhur në vitin 2013 në bazë të një marrëveshjeje me SHBA, e cila ka rezultuar që Shqipëria të pranojë strehimin e tyre.