Para takimit me presidentin Hashim Thaçi, lideri i VV-së, Albin Kurti i ka kërkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës që të dërgojë emrat e propozuar për ministra, ndërkohë që ai vetë ka bërë publike emrat e ministrave të tij dhe zv. kryeministrit.
“Sot u bënë tre muaj nga zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, kur qytetarët masivisht votuan edhe për ndryshime politike në vend edhe e bënë Lëvizjen VETËVENDOSJE! subjekt të parë e fitues. Më 26 dhjetor 2019, në seancën konstituive të legjislaturës së shtatë u detyruam të shkojmë pa marrëveshje me LDK-në. Sot, më 6 janar 2020, në takim konsultativ me Presidentin e Republikës, sërish jam i detyruar të shkoj pa marrëveshje me LDK-në. Përkundër përpjekjeve të mia të vazhdueshme, nuk m’u bë e mundur të kem një takim me kryetarin e LDK-së para këtij takimi të sotëm me Presidentin e shtetit. Askush prej nesh nuk e ka menduar që viti i ri 2020 do të na zë pa qeveri. Si Kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, si përfaqësues i juaji politik që ka marrë më së shumti vota në dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare, theksoj se nuk kemi kohë për të humbur. Koha që po ikën pa kthim nuk është kohë private e individuale e politikanëve, por është kohë e shtetit dhe kohë publike, e të gjithëve e për të gjithë. I bëj thirrje udhëheqjes së LDK-së që sa më parë t’m’i dërgojë emrat e pesë ministrave të saj dhe të zëvendëskryeministrit apo të zëvendëskryeministres së parë nga radhët e saj”, ka thënë ndër të tjera Kurti.





