Nga Mentor Kikia

Këto ditë kam lexuar disa diskutime mbi një temë që ngacmoi miku ynë Endri Shabani. E para që më pëlqeu ishte debati, pasi rrjeti është bërë vetëm si pasarelë mode.

Por nejse, të rikthehem tek tema, Pra tek Gjenerata e re, baballarët dhe zhgënjimi i bijve e bijave që ndoqën këshillat e ballaravëve për të mësuar, por që kuptuan se kjo nuk hynte shumë në punë… Nuk do të komentoj mendimin e Endrit, as komentet mbi komentet.

Doja të ndalesha tek një vështrim mbi gjeneratën e “degjeneruar”(siç thoshte dikush), të cilës i përkasin edhe fëmijët e mi.

Në fakt, çfarë është brezi i fëmijëve dhe baballarëve të periudhës së ndryshimit të sistemit dhe asaj pas vitit 1990?

Pjesa dërrmuese e prindërve të kësaj periudhe, ishin fëmijë të prindërve më të varfër të Europës. Të paveshur asnjëherë siç kishin dashur. Të paushqyer asnjëherë siç ua kërkonte stomaku. Të padalë e të paparë. Kur burgu i madh hapi dyert, të gjithë u sulën jashtë për të punuar. E dini cili ishte synimi i prindërve të kësaj kohe?

-Të mos i shikojmë fëmijët tanë të vuajnë siç kam vuajtur ne!

Qëllimi ishte ti ushqenin fëmijët, ti vishnin e tu ndërtonin a blinin një shtëpi. Sepse këto nuk i kishin patur vetë. E kështu, burrat e djemtë e Shqipërisë shkonin në emigracion, pa viza e pa letra, bënin paratë e tullave e vinin apo i sillnin me postë. Shkonin sërish, me skafe, kamiona, e nëpër male, punonin fushave e pallateve në Greqi e Itali, bënin paratë e hekurit e vinin. Dhe kështu, stinë pas stine e vit pas viti, ndërtuan shtëpitë, blenë edhe nga një makinë, i veshën e i ngopën fëmijët e tyre. Shumë pak prej tyre, ndërsa vitin edhe për të ngjizur fëmijën e radhës, pyesnin se në cilën klasë është fëmija. Dhe kështu u prodhua gjenerata e 25-30 vjeçarëve pa shkollë e pa zanat.

Ndërkohë edhe vetë shkolla ishte shkatërruar dhe kishte shpërthyer biznesi i blerjes së notave, dëftesave e diplomave. Ishte themeluar “Kristali” me shkokë, por ishte themeluar edhe “Universiteti” i FRESH-it, FRPD-së dhe LRI-së. Një “diplomë” në këto organizata vlente më shumë se diploma e masteri i vërtetë. Dhe kështu u prodhua edhe gjenerata e të rinjve me diploma, por sërish të pa shkollë e pa zanat, por edhe të pasur e me pushtet.

Ndërkohë, që shumica e shqiptarëve endeshin rrugëve të botës për të punuar, politikanë dhe sipërmarrës i kishin ngulur thonjtë Shqipërisë dhe taksave që puguanin këta që punonin. Zhvatën paratë dhe pasuritë e përbashkëta. Këta i dërguan fëmijët e tyre në Vjenë e Londër për shkollim që 10 vjeç. Dhe kështu lindi de-gjenerata e oligarkisë politiko-ekonomike.

Padyshim, që kishte shumë edhe nga ata që vërtet studiuan, u shkolluan, me mund e sakrifica, brenda e jashtë vendit, u aftësuan e janë sot të denjë të konkurojnë me bashkëmoshatarët e tyre në Europë. Por është kjo gjeneratë që sot nuk di nëse bëri mirë apo bëri keq që u shkollua, pasi nuk po e gjen vetën kurrkund. Sepse edhe puna edhe paraja sërish kalon nga partia.

Ky nuk është as faj baballarësh, e as djemsh. Kjo është një vrimë e zezë në historinë e Shqipërisë. Ne, nga diktatura nuk kaluam në demokraci, por në një rrumpallë politiko-ekonomike, në një lloj ekonomie tregu, ku sipërmarrja dhe pushteti janë një dhe ku njerëzit e thjeshtë nuk konsiderohen si qytetarë, por vetëm si konsumatorë.

E keqja është se ata që zhvatën e grabitën, tani mendojnë seriozisht se Shqipëria është pronë e tyre dhe po i bëjnë letrat që tua lënë me hipotektë bijve të tyre.

Unë nuk mendoj se këtu kanë faj më baballarët