Pasditen e së martës, kreu i njësisë administrative Sukth në Durrës, Rrapo Osmani është plagosur me thikë së bashku me nipin e tij 21 vjeçar K.O. 21 vjeç.

“Më datë 31.12.2019, në Sukth, si pasojë e një konflikti të çastit, janë plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasit Rr.O., 40 vjeç dhe K.O., 21 vjeç, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën”– njoftoi policia.

Autori i plagosjes është  identifikuar si Algert Meta, 36 vjeç, tregtar ambulant, i cili u kap mbrëmjen e së martës nga efektivët e policisë. Gjithçka ka nisur si një debat me tregtarit dhe kreut të njësisë Sukth për largimin e tezgave të fruta-perimeve nga trotuari.

Kreu i njësisë i ka kërkuar që të largojë mallin, tragtarit ambulant që shiste fruta-perime në një prej trotuareve të rrugëve në Sukth.Aty ka nisur konflikti. Fillimisht janë përleshur në trotuar ku kishte tezgat dhe më pas konflikti është spostuar pranë banesës së Rrapo Osmanit. Meta e ka pritur Osmanin të dilte nga banesa për t’u sqaruar. Në debat e sipër Meta e ka qëlluar Osmanin me thikë. Menjëherë ka ndërhyrë nipi i Osmanit, e për pasojë është plagosur edhe ai.

Dy të plagosurit janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore. Bluzat e bardha kanë konfirmuar se xhaxha e nip janë jashtë rrezikut për jetën.

Strukturat e  Drejtorisë  Vendore të Policisë Durrës menjëherë  ngritën pika kontrolli dhe ushtruan kontrolle në disa banesa e ambiente ku dyshohej se mund të fshihej autori i ngjarjes, si dhe u bashkëpunua edhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Ngjarja e rëndë ndodhi vetem pak ore pas atentatit me granatë nga kreut të bashkisë Lushnje Fatos Tushe dhe sekretares së tij, të cilët mbetën të plagosur. Autori i sulmit, ish-shoferi personal i kryebashkiakut, Gëzim Saraçi, është në kërkim.