Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar sot me medalje zjarrfikësin Luan Kapaj, i cili është cilësuar si një ndër heronjtë e tërmetit katastrofik të 26 nëntorit, pasi rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar jetë njerëzish nën rrënoja.
“Njerëzit si ti, janë thjesht në jetën e tyre dhe ne rrallë ose asfare i shohim në vlerën që kanë. Të jam shumë mirënjohës dhe të falënderoj shumë për gjithçka që bëre, edhe për praninë tënde këtu”,– tha Rama teksa i dorëzonte medaljen në ceremoninë e mbajtur në Kryeministri.
“Më shumë se krenar kjo medalje, më bën krenar për dy qytetarët e mi, që janë bashkë më ne e marrin ajrin e kësaj toke dhe shikojnë dritën e këtij dielli. Unë do t’i shërbej popullit tim deri në momentin e fundit të jetës sime”,- tha Luani mes emocionesh, teksa ka pasur pranë edhe dy personat që u shpëtoi jetën nën rrënojat e tërmetit.





