Rritet ndjeshëm numri i udhëtarëve në portin e Durrësit, shumica e të cilëve janë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të Evropës.

Sipas të dhënave nga Autoriteti Portual Durrës, gjatë javës që lamë pas kanë zbritur në portin e Durrësit afro 27 mijë udhëtarë dhe rreth 6000 autovetura gjithsej.

Festat e fundvitit po sjellin në Durrës mijëra bashkatdhëtarë, të cilët do të festojnë pranë familjeve në qytete të ndryshme të vendit tonë, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.

Sipas të njëjtave burime, mësohet se ditët e fundit numri i udhëtarëve me tragete është 3-4-fishuar në krahasim me ditët normale. Çdo ditë në port mbërrijnë 3-4 tragete nga Bari, Ankona dhe Trieste. 

Që nga fillimi i muajit dhjetor, tragetet janë shfrytëzuar nga 55,000 udhëtarë me rreth  17,000 autovetura, kamionë dhe trajlerë gjithsej.