Forcat e repartit të Drejtorisë së Shërbimit për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimi në Durrës, janë nderuar me “Certifikatë Mirënjohjeje” nga bashkia e Durrësit.

Nderimi ndaj forcave zjarrfikëse jepet për përkushtimin në kërkim-shpëtimin dhe dhënien e ndihmës së parë për të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ceremonia e dorëzimit të certifikatës që mban firmat e kryebashkiakut të përkohshëm Zhulien Varfaj dhe kreut të Këshillit Bashkiak Ani Dyrmishi, u zhvillua sot.

Tërmeti i fortë me intensitet 6.4 të shkallës Rihter që goditi vendin më 26 nëntor, rrafshoi pallatet dhe ndërtesat, ndërsa me orë të tëra ekipet e shpëtim-kërkimit kanë luftuar me kohën dhe me mjete primitive për të nxjerrë të gjallë njerëzit nga rrënojat.

Zjarrfikësit durrsakë ishin ndër të parët që u paraqitën në vendet ku ishin rrëzuar pallatet e ndërtesat, teksa lanë nga një anë vetëm familjarët e tyre, dhe vepruan si heronj të vërtetë.