Sulmuesi anglez, Mikail Antonio ka shpëtuar mrekullisht në mbrëmjen e Krishtlindjeve duke qenë se ka pësuar një aksident me automjetin e tij.

Sulmuesi që aktivizohet me Uest Ham, është maskuar si një njeri prej bore dhe ka nisur të ngasë makinën e tij tip “Lamborghini” me vlerë 210 mijë paund.

Gjërat nuk kanë shkuar mirë pasi futbollisti në fjalë është aksidentuar në oborrin e shtëpisë duke përfunduar në koshat e mbeturinave teksa edhe makina është shkatërruar.

Nga kofana e automjetit ka nisur të dalë tym i bardhë dhe të parët që e kanë dëgjuar aksidentin, kanë qenë familjarët e tij që kanë dalë jashtë menjëherë nga zhurma e madhe.

Sulmuesi ka shpëtuar mirë pa asnjë dëm, teksa ky aksident nuk e ka penguar të luajë futboll. Vetëm një ditë më vonë, ai ka luajtur titullar dhe për 90 minuta në ndeshjen kundër Kristal Palas, e humbur nga skuadra e tij 2-1, teksa vetë Antonio dhuroi edhe një asist.