Fundjava e kaluar ishte speciale për futbollistin shqiptar Leon Dajaku. 18-vjeçari debutoi me skuadrën e parë të Bajern Mynih në suksesin ndaj Volfsburg. Sulmuesi anësor është transferuar këtë sezon në Mynih nga Shtutgarti, teksa aktivizohet me të rinjtë e Bajern, aty ku ka arritur të lejë shenjën e tij duke regjistruar 18 ndeshje e tre gola.
Së fundmi, në një intervistë për KTV, Dajaku ka rrëfyer ndjenjën e debutimit me rekordmenët gjermanë si dhe tregon se cili futbollist e ka impresionuar më së shumti.
“Ishte fantastike, askush nuk do ta besonte se në një kohë kaq të shkurtër do debutoja te Bajerni. Ishte shumë emocion. Trajneri i ri i Bajernit ka shumë dëshirë që të luajnë lojtarët e rinj të skuadrës. Pata fat dhe tashmë mund të them kam luajtur me Bajernin. Kam luajtur me Shtutgardin për 5 vjet dhe ka qenë një kohë shumë e mirë. Prindërit më kanë mbështetur shumë dhe atë që them unë ata nuk e diskutojnë, kalimi te Bajerni nuk mund t’i thoshe jo”.
Me Tomos Mylerin shkoi shumë mirë. Ai është një lojtar që bën shumë shaka dhe me “ngacmon” me batuta. Kur kam shkuar te Bajerni, ai që më ka mahnitur është Tiago Alkantara, pasi është fantastik me topin në këmbë”, u shpreh Dajaku.





