Prej ditëve të para të dhjetorit kanë filluar punimet për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit në zonën e Ish-Kënetës.
Mësohet se bëhet fjalë për 7 shtëpi të banorëve të lagjes 17/1 -14/1:
- Xhem Shuti
- Mario Lala
- Kastriot Pepkolaj
- Rrustem Imeri
- Alban Kllogjeri
- Bledar Kllogjeri
- Tahir Axhami
Dy nga shtatë banesat janë riparuar ndërsa 5 të tjera janë shembur dhe do të ndërtohen nga e para për shkak të dëmeve të shumta.
Punimet janë inspektuar nga afër nga zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda e shoqëruar nga kreu i njësisë administrative nr.6, Serjan Mazrreku, i cili krahas fotove në Facebook shkruan:
“Vazhdon rindertimi i objekteve të demtuara nga termeti i datës 21 shtator në Njesin Administrative Nr.6. Sebashku me Zv.Ministren Rovena Voda inspektuam objektet të cilat seshpejti përfundojnë.”
Lëkundja 5.8 ballë më 21 shtator la pas një faturë të kripur financiare për bashkinë e Durrësit, ku 99 shtëpi u shpallën të pabanueshme, ndërsa rreth 1700 të tjera mbetën të dëmtuara.
Vlera e dëmit asokohe i kaloi 4 milionë euro, ndërsa më 26 nëntor do t’i shtohej edhe një tjetër faturë e kripur qytetit, këtë herë fatkeqësisht me pasoja më të rënda pasi pati edhe 51 viktima.
Poshtë fotove është kontrata e lidhur mes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe shoqërisë “Euro-Alba sh.p.k.”, për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti në Bashkinë Durrës.





