Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka njoftuar se kanë dështuar negociatat me partinë e Isa Mustafës për koalicionin, e që nesër në Kuvend të Kosovës dy partitë do të shkojnë pa arritur marrëveshje.
Përmes një videomesazhi ne Facebook, Kurti ka thënë se mbrëmë ka bërë edhe një ofertë të fundit për LDK-në.
Në këtë ofertë thuhet se Vetëvendosje, si parti e parë i takon kryetari i Kuvendit dhe nënkryetari i parë, e LDK-së nënkryetari i dytë, dy partitë le të bëjnë rokadën midis këtyre posteve.
“Çështjen e Presidentit më së miri e lëmë për më vonë. Mirëpo, nëse LDK insiston që ne patjetër ta bëjmë premtimin për nominimin nga LDK, atëherë neve duhet të na shtohet tash një ministri: MPB, e cila ka rëndësi jetike për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Nominimi i LDK-së për kandidatin për President, bëhet pasi të mos kemi gjetur një personalitet koncensual jashtëpartiak, kurse kur të përcaktohet LDK-ja për emrin e tij/saj, do të kërkohet edhe pëlqimi i Vetëvendosje!”, ka bërë të ditur Kurti.
Lideri i VV-së ka folur edhe për kërkesën e LDK-së për ndarjen e MKRS-së.
“Sipas kërkesës së LDK, MKRS ndahet, me ç’rast Kultura dhe Rinia i kalojnë Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ndërkaq, Sporti i kalon Ministrisë së Shëndetësisë. Pakicat joserbe e marrin Ministrinë e Zhvillimit Rajonal ose të Pushtetit Lokal, kurse pakica serbe Ministrinë për Komunitete”, ka thënë ai.





