Qeveria ka vendosur që datën 3 janar 2020, e premte, ta shpallë ditë pushimi për të gjithë administratën publike si dhe institucionet e shtetit.
Vendimi bën që pushimet për Vitin e Ri të nisin nga 31 dhjetori e të vazhdojnë deri më 6 janar, datë kur rikthehet puna rutinë.
Për 3 janarin ditë pushimi, qeveria thotë se ajo do të shlyhet gjatë muajit të parë të 2020-s.
“Në mbështetje të neneve 95, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi:
1. Caktimin e ditës së premte, datë 3.1.2020, ditë pushimi për punonjësit e administratës shtetërore.
2. Dita e punës e datës 3.1.2020 do të zëvendësohet në një nga ditët e pushimit brenda muajit janar.
3. Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtij vendimi”..
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
*Një tjetër VKM e miratuar nga Kuvendi është emërimi drejtor i Cirkut Kombëtar të Ilirjan Gjinit. Ilirjan Gjini do të zerë vendin e Saimir Çilit, i cili u lirua nga detyra më 2 tetor të këtij viti.
*Qeveria ka miratuar një rishpërndarje fondesh nga buxheti i vitit 2019 ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë i hiqet fondi 300 milionë lekë dhe i kalohet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.





