Një biznesmen në Florida ka shlyer faturat e 36 familjeve që rrezikonin të mbeteshin pa energji elektrike gjatë sezonit të festave.
Kur shkoi të paguante faturën e tij të gazit dhe energjisë, 73-vjeçari Michael Esmond zbuloi se furnizimet me energjie elektrike do ndërpriteshin në disa shtëpi nëse nuk paguheshin deri më 26 dhjetor.
Kështu atij i lindi idea që të gëzonte fqinjët e tij që nuk kishin mundësi të paguanin dhe rrezikonin t’i kalonin festat në errësirë.
73-vjeçari kontaktoi me kompaninë e energjisë në qytetin Gulf Breeze, ku ai jeton, për të pyetur se kush ishin banorët që nuk kishin paguar faturat dhe kërkoi të paguheshin në emër të tij.
Në total, Esmond pagoi 4.600 dollarë për të ndihmuar 36 familje në komunitetin e tij prej 6.000 banorësh.
“Kjo më ndodhi mua në vitet 80,” i tha ai BBC News, duke treguar se atë kohë kishte pasur probleme financiare dhe madje nuk kishte bërë dot asnjë dhuratë për Krishtlindje.
“E mbyllën gazin gjatë gjithë dimrit,” tha ai, duke shtuar se qëlloi që të ishte një nga dimrat më të ftohtë të regjistruar ndonjëherë në Pensacola.





