Gjatë fjalës në Kuvend, kryeministri Edi Rama foli edhe për protestën që gazetarët po mbajnë jashtë Parlamentit teksa mazhoranca duket e vendosur për të votuar paketën antishpifje.

Rama i quajti gazetarët që protestojnë shkelës të së drejtës së qytetarëve pasi sipas tij cënojnë integritetin e tyre me shkrimet që publikojnë.

“Nëse ligji gjerman do të kishte subjekte ata që janë tek dera e parlamentit, ata sot do të ishin të gjithë me borxhe për të paguar pafundësinë e detyrimeve si rezultat i shkeljes së të drejtave të njeriut. Ata janë shkelës të drejtës së njeriut, që mos t’i cënohet në publik integriteti i tij, shkelës për të ndërtuar sipërmarrjen e tij të lirë, janë shkelës së të drejtës të shoqërisë për të qenë e mbrojtur nga pasojat e lajmeve të rreme apo shpifje. Më 26 nëntor ka vdekur një njeri i pafajshëm, ka humbur jetën një baba, dhe janë plagosur dhjetëra njerëz, sepse dikush nga ata atje ka nxjerrë lajmin se spitali i Durrësit po shembet. Po ata që janë atje kanë publikuar lajmin se qeveria fshinte 100 të vdekur në morgun e spitalit duke krijuar një situatë kaotike me familjarë që kishin humbur kontakt me anëtarët e familjes që ishin shëndoshë e mirë dhe u turrën tek morgu”, tha Rama.