Në një dalje për media, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi paralajmëroi se kryeministri Edi Rama do ta humbasë betejën me gazetarët dhe të vërtetën, referuar paketës anti-shpifje.

Kryemadhi tha se ajo dhe partia e saj ofrojnë mbështetje totale për të gjithë ata që luftojnë për lirinë e shprehjes. 

“I gjithë opinioni ndërkombëtar është shprehur qartë, nga një paketë anti-shpifje nuk mbetet gjë tjetër veçse të cilësohet si paketa anti-shprehje. Edi Rama dënon çdo qytetar që kërkon të informohet nëse banesa e tij është e qëndrueshme apo jo pas tërmetit. Sot të gjithë shqiptarët janë bashkë, pasi çdo e vërtetë që del tashmë sheshit tregon qartë pse shqiptarët braktisin vendin e tyre dhe pse Edi Rama me oligarkët s’kanë të ngopur me paratë e shqiptarëve. Mbështetja jonë është totale për të gjithë ata që luftojnë për lirinë e shprehjes. Kjo është një betejë e humbur e Ramës, si çdo betejë që është humbur para së vërtetës. Asnjë kompromis nuk ka dhe nuk do të ketë në këtë princip të shenjtë, që bën dallimin mes njerëzve dhe skllevërve”, tha Kryemadhi.