Një përqafim ideal ka bashkuar Çenton [qytet dhe komunë në provincën Ferrara, Emilia-Romagna, Itali] dhe Durrësin, të dielën, më 15 dhjetor 2019, me rastin e ekspozitës fotografike ‘Shqipëria dje dhe sot ’, organizuar falë mobilizimit të komunitetit aktiv lokal shqiptar, me mbështetjen e Bashkisë, në favor të Shqipërisë për pasojat e tërmetit shkatërrues që e goditi më 26 nëntor 2019, duke shkaktuar 51 viktima, 600 të plagosur dhe një shkatërrim të tmerrshëm.
Ekspozita mblodhi burime për rindërtimin e shkollës fillore dhe të mesme ‘Naim Babameto’ në Durrës. Hapja e veprimtarisë iu besua organizatores Marije Meço.
“Tërmeti goditi qytetin tim, Durrësin, – tha ajo -. Unë kam qenë në Itali dhe Çento për një kohë të gjatë dhe menjëherë kam menduar të apeloj për bujarinë dhe humanizmin e komunitetit të Çentos, duke kujtuar atë që kemi përjetuar në vitin 2012”.
“Është nismë e lavdërueshme, – shtoi nënkryetari i bashkisë Simone Maccaferri, – dhe ne kemi vendosur ta mbështesim atë, duke krijuar një lëvizje solidariteti në një tokë si jona që ka përjetuar edhe tragjedinë e tërmetit. Është gjithashtu domethënëse që ekspozita prezantohet nga një moment njohjeje të Shqipërisë, duke pasur parasysh praninë në Çento të një komuniteti të madh dhe aktiv shqiptar”.
Shqipëria u përvijua mirë nga arkeologët Lumturi Plaku dhe Etnor Canaj dhe nga shkrimtari dhe poeti Jani Kocollari, në prani të Pirro Qendros të Shoqatës Kulturore italo-shqiptare “La Svolta” të Bolonjës. U demonstruan lidhjet e thella dhe të lashta me Italinë dhe magjepsja e një kulture që i ka rrënjët në një histori komplekse dhe pozitë gjeografike, të cilat kanë kontribuar në forcimin e vlerave të identitetit dhe përkatësisë dhe për të zhvilluar një temperament. solid dhe krenar.
Th.M.