Bledi Shkëmbi është larguar nga drejtimi i Teutës. Trajneri korçar nuk do të jetë më në stolin ku ishte ulur prej më shumë se një sezoni e gjysmë, duke u bërë kështu trajneri i radhës që largohet nga Superliga. Ish-kampioni me Skënderbeun në fushë, Shkëmbi e ka cilësuar si diçka normale këtë ndodhi në punën e trajnerit. Gjithashtu ai ka theksuar se Europa është e mundshme, duke parë diferencën prej vetëm pesë pikësh nga kreu.
Ish-trajneri ka “thumbur” kështu drejtuesit, duke theksuar se jo gjithmonë ishte në një mendje më ta. “Do dëshiroja të mbyllja gjithë vitin sepse kjo është puna e një trajneri. Kam vetëm falenderime për presidentin dhe stafin por kjo është situata, nuk kemi pse e bëjmë tragjike. Teuta është afër zonës europiane dhe nuk ke gjithmonë mendime të njëjta me drejtuesit”.“Nuk është diçka e mirë si për mua dhe lojtarët, por kjo është puna jonë. Me shpirt iu uroj lojtarëve shumë suksese”.
“Situatë për të qeshur kjo e shkarkimeve, por ndodh që drejtuesit të bëhen bashkë në një orë. E ardhmja? Do t’i kaloj pushimet në Korçë pranë familjes, sepse aty kalohen bukur Krishtlindjet”, ka mbyllur fjalën Bledi Shkëmbi.





