Në Komisionin e Ekonomisë ku po shqyrtohej propozimi i qeverisë për të pezulluar nga detyra anëtarin e Bordit të Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë Arben Malaj, avokati i këtij të fundit Jordan Daci argumentoi në terma ligjorë se pse kjo procedurë ka nisur mbrapsht.
Daci paralajmëroi se loja që po bëhen me Bankën e Shqipërisë është një lojë e rrezikshme pasi nëse Banka cënohet rrezikojmë një piramidë të dytë pas asaj në ’97.
“Kjo procedurë ka filluar gabim. Kemi dy propozues për një fakt, vetë Kuvendi ja ka kaluar të drejtën Këshillit Ministrave dhe pastaj Këshilli i Ministrave, duke qenë se ne kemi të drejtë ti bëjmë pyetje kërkuesit, ne nuk mund t’ja bëmë me korrespondencë. Do të duhej të sigurohej prania. Pjesa e dokumentacionit të procedurave të ndjekura nga Këshilli i Ministrave që ne kemi arsye të mjaftueshme të dyshojmë se janë të paligjshme do të duhej të ishin pjesë e shqyrtimit. Kjo procedurë nuk duhet të fillonte me komisionin e ekonomisë por atë të ligjeve.Kjo është një mbledhje që përpiqet të zhvillojë një lloj hetimi. Në material vetë nocionet bien ndesh me atë që kërkojnë kërkuesit. Loja me Bankën e Shqipërisë është lojë shumë e rrezikshme, nëse Banka cënohet ne të gjithë do të jemi në një piramidë të dytë si ajo e ’97. Kemi një kakofoni juridike të çuditshme sa i takon diskrecionit. Na dalin dy organe, Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave. Së dyti, administrimi i provave, ju po shqyrtoni një akuzë dhe do të duhet të jetë konkrete dhe jo me fjalë të përgjithshme.Nuk mund të vazhdoni gjykimin e një të akuzuari që nuk keni asnjë provë dhe as kërkoni asnjë provë.”





