Në datën 13 janar në orën 14:00 do të zhvillohet seanca e parë paraprake për kryetarin e PD-së, Lulzim Basha dhe dy zyrtarët e tjerë të PD-së, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi për akuzën e falsifikimit të formularëve, pasi u morën të pandehur. Gjyqtari paraprak i dosjes është Lazer Sallaku. Gjykata në seancën paraprake mund të marrë një nga tre vendimet e mëposhtme; të rikthejë dosjen, ta kalojë në gjyq ose ta pushojë për mungesë provash për akuzat që janë ngritur.

Dosja solli përplasje mes prokurorëve të Tiranës, pasi  Ervin Karanxha dhe Gjergj Tako kanë qenë dakord dhe vendosën për mbyllje hetimesh për të marrë të pandehur Lulzim Bashën, por kolegu i tyre Kole Hysenaj ka qenë kundër, duke kërkuar zgjatje të afateve hetimore dhe marrjen e deklarimeve të Nick Muzin. Megjithatë vendimi është marrë 2 me 1 dhe tashmë dosja është dërguar në gjykatë.

Hetimi financiar për lobimin prej 675 mijë dollarësh me kompaninë “Muzin Capitol Partners”, çoi në bankën e akuzës liderin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, ish-sekretarin e Përgjithshëm të PD Arben Ristani dhe financierin e kësaj force politike Ilir Dervishi. Tre personat akuzohen për “Falsifikim të dokumenteve dhe formularëve”, pasi nuk kanë bërë deklarimin e shumës në pasqyrat financiare të Partisë Demokratike pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ndërsa u pushuan hetimet për “Pastrim të produkteve të veprës penale”.

Ja sa vite burg rrezikon Lulzim Basha
Por sa vite burg rrezikon kryedemokrati Basha dhe dy zyrtarët e tjerë të PD nëse provohen akuzat për falsifikim? Neni 190/3 bën fjalë për falsifikimin e formularëve ose me paraqitjen e rreme të tyre nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, që u drejtohet organeve shtetërore dhe dënohet me burgim nga 3 deri në 7 vjet burg.