Ish-ministrja e Integrimit Klajda Gjosha shkruan në Facebook se sot është bërë publik një dokument i përgatitur nga 9 vende të BE për procesin e zgjerimit si një alternativë ndaj dokumentit francez të dalë më herë.

Në postimin e saj, ish-ministrja kërkon që vendet anëtare të jenë më konkrete në propozimet e tyre.

POSTIMI I PLOTË

Sot është bërë publik një dokument i përgatitur nga 9 vende të Bashkimit Europian mbi procesin e zgjerimit, si një alternativë ndaj dokumentit francez të publikuar disa javë më parë.

Është për t’u vlerësuar shumë fakti që BE mbetet e angazhuar në perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, edhe për dashamirësinë e lehtësimit të procedurave. Megjithatë unë do doja t’i kërkoja vendeve anëtare të jenë më konkrete në propozimet e tyre.

E para, është e rëndësishme që procesi të bëhet i prekshëm për qytetarët dhe me mbështetje më të madhe financiare për finalizimin e reformave.

E dyta, procesi ka nevojë për afate kohore deri në anëtarësim. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për këto afate për të mbajtur shpresën gjallë, por edhe për të detyruar qeveritë dhe institucionet të vendosen para presionit kohë për të përmbushur kushtet.

E treta, BE duhet të vendosë nëse do të ketë anëtarësim në bllok të vendeve aspirante apo individualisht në bazë të meritës. Nuk dihet nëse do të vazhdohet me projektin “Europa e shumë shpejtësive” apo do të vazhdohet thjesht me unionin e përbashkët sic është në këto momente. Kjo do të ndante më pas edhe mekanizmin e funksionimit të procesit të zgjerimit.

Unë kam bindjen se në vendet si Shqipëria, ku mungon kultura demokratike e qeverisjes, nevoja për të qënë të atashuar në BE dhe me një kontroll më të rreptë është jetike!

Celja e negociatave do duhet të ndodhë menjëherë. Për qytetarët tanë kjo është e vetmja shpresë për një epokë të re në funksionimin e shtetit dhe ndërtimin e ekonomisë!