Cristiano Ronaldo nuk po kalon periudhën më të bukur të karrierës. Portugezi ka pasur shqetësime në gju, të cilat nuk e kanë lejuar të shprehet në maksimum, teksa kjo është reflektuar edhe te numri i golave të CR7 në këtë sezon.

Deri më tani, 34-vjeçari ka shënuar shtatë herë në kampionat dhe vetëm një rrjetë në Ligën e Kampionëve. Shifra jo të nivelit Ronaldo. Ndërkohë, në javët e fundit ka pasur edhe një krisje të marrëdhënies së tij me trajnerin Mauricio Sarri, i cili e zëvendësoi dy herë radhazi.

Ndërsa, si përfundim dështoi të triumfonte edhe në Topin e Artë, çmim që shkoi për rivalin e tij Lionel Mesi, i cili e parakaloi duke u shpallur fitues për herë të gjashtë.

Në këtë formë, Ronaldo duket i dëshpëruar, teksa mendon se nëse do të qëndronte me Real Madrid, atëherë do të ishte një tjetër histori. Sipas medias spanjolle “ABC” këtë fakt, portugezi ia ka rrëfyer ish-shokëve të tij madrilenë.

Megjithatë, tashmë Ronaldo pak mund të bëjë për ta ndryshuar historinë e kaluar dhe i duhet të përqendrohet te ajo aktualja për të synuar sërish trofetë më të rëndësishëm ekipor dhe individual.