Një gjest i shëmtuar i Marko van Bastenit. Ish-ylli i kombëtares holandeze dhe Milanit ka qenë protagonisti i një skandali të madh në televizionet vendëse.

Van Basten është i punësuar si ekspert për Ligën e Parë në Holandë dhe gjatë komentimit të ndeshjes midis Ajaksit dhe Herakles, ai komenton fjalët e trajnerit gjerman Frank Vormuth të Heraklesit duke thënë shprehjen e famshme naziste “Sieg Heil”. Vetëm pak minuta më pas, ai i kërkoi falje publikut duke thënë se:

“Nuk doja të shokoja askënd, doja vetëm të tallesha me gjermanishten e trajnerit. Ishte një shaka e gabuar”, tha holandezi pas ndeshjes. Një komentator e quajti këtë gjë një shaka pa shije të yllit të kombëtares duke thënë se fjalë të tilla nuk mund të thuhen jo sot, por në asnjë ditë tjetër.

Këto fjalë të Van Bastenit vijnë në një moment tensioni në Holandë pas koreve raciste të ndodhura një javë më parë në ndeshjen midis Ekselor Roterdam dhe Den Bosh, tifozët e këtyre të fundit kënduan kore raciste ndaj lojtarit me ngjyrë, Mendes Moreira, i cili kërcënoi me braktisje të ndeshjes.

Gjesti i Van Bastenit pritet të mos kalohet pa pasoja në televizionin holandez, i cili mund ta pushojë ish-lojtarin nga puna dhe të kërkojë që ai të mos shfaqet më në asnjë ekran televiziv. Komentet e shumta në rrjet e kryqëzojnë ish-yllin e Ajaksit dhe Milanit, i cili nuk është parë kurrë si një person që mund të bënte diçka të tillë, pasi gjithmonë ka qenë një idhull në fushë dhe jetën private.