Sokol Sula ka dhënë dorëheqjen nga detyra e drejtorit të Forcave të Sigurisë Portuale, në portin e Durrësit.
Në vend të tij është komanduar zëvendësdrejtori Karafil Sula, raporton "DurrësLajm".
Sokol Sula u emërua në këtë post në fund të janarit 2018, në kohën kur Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD-së ishte Artjan Qirici.
Ndërkohë, APD ka njoftur shpalljen e konkursit për vendin vakant të pozicionit drejtor në këtë drejtori.
Kandidatët të cilët aplikojnë për të ushtruar detyrën e sipërpërmendur duhet të dorëzojnë pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, Promocionit, Sektorit të Burimeve Njerëzore dhe Zhvillimit të Karrierës, dokumentacionin e kërkuar sipas Udhëzimit nr. 7, datë 11.06.2015 të Ministrit të Transporteve dhe Infrastrukturës “Për përcaktimin e kritereve dhe procedurave të përzgjedhjes së punonjësve të Forcës së Sigurisë në Portet Detare të Republikës së Shqipërisë, deri më datë 26.12.2019.
Deri në përfundim të procesit të aplikimeve në fund të dhjetorit 2019 dhe shpalljes së fituesit, këtë pozicion do ta mbajë Karafil Sula.