Shqipëria po eksporton drejt Evropës dhe botës, jo vetëm mjekët, inxhinierët, ekonomistët e saj më të mirë por edhe profesionistët e thjeshtë, duke bërë që tregu sot të jetë i uritur për fuqi punëtore. Në këmbim të tyre po merr fuqi punëtore nga ishujt Filipine, sepse nuk ka kush të pastrojë, të hedhë e të ngrejë rrjetat e peshkut.
Mungesa e fuqisë punëtore po vihet re gjithmonë e më shumë, në shumë sektorë me impakt të madh social e ekonomik, si pasojë e largimeve masive të të rinjve drejt Evropës. Një prej industrive më të rëndësishme në Durrës, ajo e peshkimit është duke “vuajtur” thellësisht mungesën e fuqisë punëtore. Pronarët e anijeve kanë punësuar shtetas kryesisht filipinas, të cilët janë edhe të trajnuar për të kryer gjithçka në anije, që nga pastrimi i rrjetave e deri tek drejtimi i anijeve në gjueti.
Drejtori i Zyrës Rajonale të Punësimit në Durrës, Indrit Buka, në një intervistë për DurrësLajm tha se sektori i peshkimit ka nevojë për fuqi punëtore, por në treg mungon krahu i punës. Edhe ata të rinj që duan të punësohen, nuk i plotësojnë kriteret për t’u punësuar në anije.
Shtetasit filipinas janë një mundësi shumë e mirë për pronarët e anijeve të peshkimit në Durrës. Por një ligj i Ministrisë së Mjedisit, ministria e linjës, kërkon që pronarët shqiptarë të punësojnë një të huaj për 10 punëtorë shqiptarë, duke kushtëzuar në maksimum punësimin e të huajve, edhe pse fuqia punëtore mungon. Buka thotë se i është kërkuar ministrisë dhe ka nisur rishikimi i këtij kriteri për të mos u bërë pengesë për zhvillimin e industrisë së peshkimit. Krahas peshkimit, është fasoneria një sektor tjetër që kërkon fuqi të madhe punëtore dhe nuk mund të plotësojë kërkesat në zyrën e punës.
K.H.





