Zëvëndës Presidenti Ekzekutiv i Europa Nostra si dhe Paolo Vitti anëtar i Këshillit të kësaj organizate, kanë dërguar një letër në adresë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit me anë të të cilës tregojnë mbështetjen e kauzës së tyre për moslejimin e shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar.

Në këtë letër shkruhet se shprehin vlerësimin për takimin e Tetorit me anëtarët e Aleancës në kuadër të Samitit të Trashëgimisë Europiane 2019 të mbajtur në Paris, ndërsa shprehen jashtëzakonisht të të shqetësuar në lidhje me tensionet midis atyre që mbështesin dhe promovojnë ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike të qytetit nga njëra anë dhe organeve të qeverisjes vendore nga ana tjetër.

“Në perspektivën e zhvillimeve më të fundit në Shqipëri, të cilat kanë nisur të përbëjnë një kërcënim të hapur për Teatrin Kombëtar, Europa Nostra pohon në mënyrë të ripërsëritur mbështetjen e saj për fushatën tuaj për shpëtimin dhe rigjallërimin e Teatrit nëpërmjet aktiviteteve kulturore nga e gjithë Europa, të cilat japin një mesazh unik për vlerat kulturore të Europës”, shkruhet ndër të tjera në këtë letër.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Shqipërisë të heqë përfundimisht dorë nga planet për shkatërrimin e këtij simboli të patjetërsueshëm të Tiranës dhe të marrë seriozisht parasysh potencialin e tij të pazëvendësueshëm për pasurimin kulturor dhe shoqëror të Tiranës, çka mishëron plotësisht godina e Teatrit Kombëtar”, vijon më tej letra.