Do të hetohet në gjendje të lirë pedagogu i Elbasanit, Denis Himçi, i cili u vu në pranga disa muaj më parë, pasi u denoncua nëpërmjet një video përgjimi, ku shihej teksa i kërkonte favore seksuale një studenteje në këmbim të marrjes së provimeve.
Gjykata e Apelit të Elbasanit ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj ish-pedagogut duke i hequr edhe arrestin në shtëpi. Ndërkohë që ishte në paraburgim, pedagogu u ndje keq dhe u dërgua në spital pas problemeve me zemrën. Himçi kaloi parainfarkt.
Pedagogu Denis Himçi u vu në pranga pas publikimit të video skandalit të transmetuar në emisionin investigativ “Stop”, në shtator, ku ky i fundit i kërkonte një studenteje raport intim, në këmbim të marrjes së provimeve, por edhe të ndikonte tek kolegët e tjerë që vajza të kalonte provimet e mbartura.
Ai akuzohet për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.





