Sot shënohen gjashtë vite nga aksidenti tragjik, që i mori jetën një prej figurave kryesore në Partinë Demokratike, Sokol Olldashit. Ish-deputeti Olldashi humbi jetën më 20 nëntor të vitit 2013, teksa udhëtonte me makinën e tij nga Elbasani drejt Tiranës.
Sokol Olldashi ka qenë një ndër studentët e ngjarjeve të Dhjetorit ’90 dhe katër herë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Ai e nisi karrierën e tij si gazetar dhe kreyeredaktor i gazetës ‘Albania’.
Ndërsa në vitin 2001 u zgjodh për herë të parë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Katër vite më vonë, Olldashi u rizgjodh në Kuvend, me fitoren në Shijak.
Pasi fitoi mandatin e dytë të deputetit ai u emërua në krye të Ministrisë së Brendshme, post të cilin e mbajti nga viti 2005 deri në fillim të vitit 2007.
Në këtë kohë kandidoi për kryetar të Bashkisë së Tiranës, garë që ai e humbi përballë Edi Ramës. Më pas, Sokol Olldashi mori postin e ministrit të Transporteve dhe Punëve Publike deri në shtator të 2013-s. Pas humbjes së Partisë Demokratike më 23 qershor dhe dorëheqjes së Sali Berishës, Olldashi kandidoi për postin e kryetarit të PD, përballë Lulzim Bashës, post që u fitua nga ky i fundit.





