SHCBA ka nisur verifikimet për disa punonjës policie pasi dyshohet se kanë dekonspiruar aksionin për arrestimin e ish kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmakut.
Prej 10 ditësh, autoritetet kanë kryer kontrolle në banesën e Kajmakut dhe në banesat e të afërmve të tij dhe dyshohet se ish-kryebashkiaku është ndihmuar nga disa punonjës të policisë për të mos rënë në pranga.
Kajmaku është shpallur në kërkim nga policia pasi akuzohet për ''shpërdorimit të detyrës'', ''shkelje të ligjit të dekriminalizimit'' dhe ''ushtrim të detyrës në përfundim të mandatit''. Sipas sistemit TIMS-s, ish-kreu i bashkisë së Vorës rezulton të jetë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Ndërkohë një javë pasi është shpallur në kërkim, ish-kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku ka apeluar nëpërmjet avokatit të tij masën e sigurisë “arrest me burg” të dhënë nga gjykata e shkallës së parë.
Kajmaku kërkon lirinë, ndërsa prokuroria ka vijuar pyetjen e nënkryetarit, Gentian Picari, i cili dyshohet se u emërua nga Kajmaku pas vendimit të KQZ.





