Prej disa ditësh, Kreshnik Ternova është emëruar në postin e Drejtorit të Shërbimeve të Transportit Rrugor Durrës, post që deri në fillim të tetorit është mbajtur nga ish-drejtori Roni Shqopa.

Si për të ndryshuar traditën e drejtorëve të importuar nga kryeqyteti në Durrës, këtë herë drejtori i ri vjen nga Fieri, ku ka mbajtur disa poste të rëndësishme në sektorin e shëndetësisë. DurrësLajm zbardh më poshtë disa nga postet më të rëndësishme që ka mbajtur Ternova ndër vite.

Në gusht të vitit 2015, Kreshnik Ternova është emëruar me urdhër të Ministrit të Shëndetësisë drejtori i Spitalit Rajonal Fier.

Ternova e mori këtë post pasi për afro 2 vite kishte drejtuar Drejtorinë Rajonale të Shëndetit Publik në Fier.

Ndërkohë, para se të merrte postin e rëndësishëm në Durrës, atë të Drejtorit Rajonal të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Ternova ka drejtuar vitet e fundit Drejtorinë Rajonale të Shëndetësisë Fier.

Pasi për disa vite ishte vartës i ministrave të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe Ogerta Manasterliu , Ternova tashmë kalon nën vartësinë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Prezantimi zyrtar i Ternovës para autoriteteve vendore në Durrës është bërë një ditë më parë, gjatë mbledhjes së Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit.

Ternova u prezantua së bashku me drejtorët e tjerë të rinj, që kanë marrë detyrën dy muajt e fundit në Durrës.

Ata janë Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë Vendore të Policisë Kryekomisar Lorenc Shehu, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës Pirro Vengu, Drejtori i AKU Durrës, Manush Kullolli  dhe Kreshnik Ternova, Drejtori Rajonal i Shërbimeve të Transportit Rrugor Durrës.

M.B.