Bashkia e Durrësit ka organizuar ceremoninë solemne me rastin e 14 Nëntorit, ditës së 75-vjetorit të Çlirimit të Durrësit nga pushtuesit nazifashistë në 1944-n.
Në këtë ceremoni merrnin pjesë kryetarja e Bashkisë së Durrësit Valbona Sako dhe zëvendëskryeministri Erjon Braçe, veteranë të luftës dhe të afërm të dëshmorëve që dhanë jetën për liri.
Në fjalën e saj, kryebashkiakja Sako tha se 14 nëntorin e ka parë gjithmonë si një ditë që ka në thelb bashkimin.
"Qyteti jonë u çlirua nga banorët e saj, që padyshim dhanë një ndihmesë të jashtëtakonshme jo vetëm në atë ditë, por gjatë gjithë luftës. Por edhe nga bij e bija shqiptarësh nga çdo anë e kënd i vendit që sakrifikuan shumë për të arritur deri në fitoren e madhe të 14 nëntorit. Me 14 nëntor është çliruar qyteti i Durrësit, i cili i ka dhënë Evropës dëshmorët e parë shqiptarë të luftën kundër fashizmit më 7 prill 1939.
Duke qenë bashkë, duke punuar bashkë, duke i lënë pas konfliktet e së shkuarës dhe ndasitë, mund ta bëjmë qytetin e Durrësit edhe më të zhvilluar, më të sigurt, më tërheqës dhe vendi ku të rinj e shohin mundësinë për të krijuar familjen e tyre.", tha kryetarja e bashkisë.
Ndërsa zv.kryeministri Braçe tha ndër të tjera se "Heronjtë nuk i bëjnë partitë politike, heronjtë nuk i bëjnë shoqatat, veçanërisht ato shoqata që kanë marrë përsipër të mohojnë kontribudin e shqiptarëve në luftën kundër fashizmit dhe për lirinë e vendit. Heronjtë i bën lufta."
Durrësi u gjend në qendër të historisë shqiptare të Luftës së Dytë Botërore sepse pikërisht në këtë qytet, më 7 prill, nisi të shkruhej me gjak historia e lavdishme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Durrësi u bë në këtë mënyrë një nder qytetet me të rëndësishme të kësaj lëvizjeje. Kjo ditë, teksa na fton të gjithëve si qytetarë të shprehim respekt e mirënjohje, na obligon si brez t’i trashëgojmë më së miri vlerat patriotike, shoqërore.





