Milani ka marrë humbjen e gjashtë në 11 ndeshje këtë sezon të Serisë A. Ndërkohë, kjo ishte disfata e dytë për Piolin në stolin e kuqezinjve. Këtë vit ‘Djalli, duket i pafuqishëm për të bërë dëme dhe në mbrëmjen e djeshme u dorëzua pa kushte ndaj Lacios në ‘San Siro’.

Një humbje që djeg, teksa vendet në pjesën e lartme të tabelës së klasifikimit kanë nisur të shikohen vetëm me dylbi. Por, pas ndeshjes tekniku i Milanit, Pioli e kishte gati justifikimin.

“Kemi pasur një ditë më pak pushim se Lacio”, është shprehur trajneri.

Një fjali e cila nuk mund të jetë justifikim kurrsesi për një skuadër si Milani, ndërsa këto fjalë me siguri kanë nervozuar edhe më shumë tifozerinë kuqezi, të cilët nuk kanë qenë dakord prej fillimit me vendosjen e Piolit në krye të skuadrës duke shpërthyer me frazën e famshme “Pioliout”.