Zgjedhjet në 324 organizatat socialiste në Durrës po shkojnë drejt fundit. Deri tani janë zhvilluar zgjedhjet në 90% të tyre dhe në ditët e para të nëntorit, procesi pritet të përfundojë tërësisht. Për rreth dy muaj, duke nisur nga 16 shtatori, janë zhvilluar zgjedhjet për kryetarin dhe sekretarin e çdo organizate, janë propozuar emrat e kandidatëve për kryetarin e degës, si dhe emrat e delegatëve për në kongres. Procesi është monitoruar nga afër nga strukturat drejtuese dhe deputetët e qarkut. Mbledhjet duket se janë zhvilluar në atmosferë të qetë dhe ndër problematikat kryesore të ngritura nga baza socialiste kanë qenë ato të lidhura kryesisht me infrastrukturën e qytetit dhe lagjeve të veçanta të tij. Por krahas shqetësimeve të përditshmërisë së tyre, që çdo socialist i vuan ashtu si çdo qytetar durrsak, në mbledhjet e zhvilluara ata kanë propozuar edhe emrin e kandidatit për të drejtuar degën në vitet e ardhshme.
Burime zyrtare nga dega e PS-së konfirmojnë për DurrësLajm se në pjesën më të madhe të organizatave socialiste është propozuar emri i kryetarit aktual, Luan Zaza. Ndërkohë, në 3 organizata është propozuar emri i kandidatit Ardit Kërtusha, dhe në 2 organizata janë propozuar të dy emrat (Zaza + Kërtusha).
Nga ana e tij, kandidati Kërtusha thotë për DurrësLajm, se emri i tij është propozuar në 9 organizata (2 në qytet, 3 në Ishëm dhe 4 në Manëz). Kandidati Kërtusha shpreh shqetësimin se asnjë përfaqësues i tij nuk ka qenë i pranishëm në mbledhjet e organizatave dhe disa prej tyre janë shtyrë në momentin që ai ka dashur të ndjekë nga afër takimet.
Gjithsesi, deri më tani, nëse nuk do dalë ndonjë emër surprizë në momentet e fundit, në garën për kryetar partie të PS-së Durrës do të kandidojnë Luan Zaza dhe Ardit Kërtusha.
Do të jetë mesi i muajit nëntor kur pritet të nisë zyrtarisht gara për kreun e PS-së dhe socialistët do të njihen me platformat e secilit kandidat.
Për Kërtushën, i cili dëshirën për t’u përfshirë në garë e pati deklaruar që në muajin gusht, kjo garë mes tij dhe kryetarit aktual Luan Zaza është mes të tjerash edhe një luftë brezash dhe mentalitetesh, por gjithçka është në funksion të forcimit të mëtejshëm të PS-së. Ai nuk e fsheh që gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe “sugjerime” miqësore nga persona të rëndësishëm në PS-në e Durrësit për t’u tërhequr nga gara.
Kryetari aktual Luan Zaza e mban këtë detyrë prej rreth 3 vitesh, ndërkohë që për shumë vite me rradhë ka drejtuar Ndërrmarrjen e Pastrimit Gjelbërimit. Nga ana e tij, Kërtusha i është bashkuar partisë që në moshë të re dhe ka mbajtur për 4 vite postin e kreut të FRESSH Durrës dhe drejtorit të kabinetit të Këshillit të Qarkut. Në fillim të shtatorit, Kërtusha u shkarkua nga detyra që mbante pranë OSHEE Durrës dhe sipas tij kjo lidhej me deklaratën e tij publike se donte të përfshihej në garën për kreun e degës.
Nga data 17 nëntor nis zyrtarisht fushata për zgjedhjen e kreut të PS-së dhe brenda 7 dhjetorit, socialistët e Durrësit pritet të njihen me emrin e kryetarit të tyre të ardhshëm. Ai do të zgjidhet nga votimi i 324 kryetarëve të organizatave socialiste të Durrësit.
Ndërkohë, në 16 nëntor, socialistët do të përzgjedhin me parimin “një anëtar, një votë” emrat e 30 delegatëve në Kongresin e PS-së, që pritet të mbahet në janar të vitit të ardhshëm. Lista me emrat e kandidatëve për delegatë nuk është përmbyllur ende, pasi pritet të mbyllet procesi i zgjedhjeve në të gjitha organizatat socialiste, nga ku dalin të gjithë emrat e propozuar nga baza.
M.B.





