Kryeministri Edi Rama ka ndarë me ndjekësit e vet në Facebook, një video ku shfaqet në timonin e një makine, teksa e drejton atë pa e prekur fare timonin me duar.

Kjo është risia më e fundit prezantuar në City Park, që ka zgjedhur ta provojë edhe vetë Rama, teksa komenton se si erdhi dita që të ngasësh një makinë pa duar.

“ME TIMON PA TIMON SHOFERI JON OSHT KAMPION” thotë ajo kënga e vjetër, ndërsa këtu jam unë që i jap makinës pa prek timon me dorë…”, shkruan Rama.

Ndërkohë që mes të tjerash komenton:

“Kur thosha që do vijë dita që makina do eci vetë dhe unë nuk kam nevojë të marr patentën nuk më besonte njeri, tani shikojeni se si erdhi dita, nuk ka ardhur tamam, ky është vetëm fillimi, nuk keni parë gjë akoma. Ju rrofshin patentat të gjithëve ju, kjo është dora ime, ky jam unë këtu, që të më shikoni”, thotë Rama, teksa e filmojnë brenda automjetit që ecën vetë.

“Për drejtimin e qeverisë timoni mbetem unë, për makinat po vjen një kohë tjetër e po vjen shumë shpejt, ashtu si edhe frenimi automatik do të bëjë të mundur të shmangen shumë aksidente”, shton ai.

Postimi i Ramës:

Sot nisi në Shqipëri revolucioni industrial mbi teknologjinë 5G, me një investim fillestar prej 150 milionë Eurosh nga kompania Vodafone Ky revolucion do të transformojë rrënjësisht çdo sektor, nga ekonomia tek financat dhe energjia, nga bujqësia tek shëndetësia dhe arsimi, duke bërë të mundur të paimagjinueshmen jo në shekujt, po në vitet që vijnë.