Partia Demokratike kërkon nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve që të shpallë të pavlefshëm mandatin e kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku, sipas të cilëve, ky i fundit ka gënjyer në formularin e Dekriminalizimit.

PD ka denoncuar më herët se Kajmaku falsifikoi këtë formular, duke fshehur arrestimin dhe hetimin në Greqi për veprën penale të përdorimit të parave false, si dhe duke fshehur identitetin e rremë të përdorur në Greqi për prindërit e tij.

Kërkesa drejtuar KQZ-së nga Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi, kujton se për këtë vepër të kryer nga Agim Kajmaku, ligji parashikon heqjen e menjëhershme të mandatit dhe dënimin e tij me burg.

“Fakti që në Formularin e Vetëdeklarimit, nuk është pasqyruar asnjë e dhënë e përcjellë në lidhje me arrestimin dhe hetimet përkatëse në shtetin grek, si dhe indentitetin e rremë të përdorur nga vetë ai, bën që Agim Kajmaku të përfshihet në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik si Kryetar i Bashkisë. Kjo pasjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga funksioni publik që mban”, thuhet në kërkesën e PD.

Kjo shkresë e Bardhit u është dërguar për dijeni edhe ambasadave të SHBA-së e BE-së në Tiranë.

“Për prokurorinë është e provuar se Agim Kajmaku ka patur dijeni të plotë në lidhje me faktin që ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor penal në zhvillim. Ai ka kryer veprime konkrete për fshehjen e këtij fakti para autoriteteve shqiptare”.

Partia Demokratike i bën thirrje KQZ-së që të zbatojë ligjin dhe të mos zbatojë urdhrat politike.