Ngrohja globale kërcënon riprodhimin mashkullor. Dhe së bashku me smogun, kimikatet dhe radiacionet, rreziku është edhe më i lartë.

Sipas ekspertëve, rritja e temperaturave mesatare dëmton shumë më tepër aparatin riprodhues mashkullor në krahasim me atë femëror, madje në mbretërinë e kafshëve, në disa specie, ky fenomen arrin të përgjysmojë fertilitetin, pasi spermatozoidët janë shumë më të ndjeshëm ndaj të nxehtit. Madje ekspozimi në temperatura të larta në kohë të zgjatur në fazën e zhvillimit ndikon shumë në jetën prej adulti të mashkullit.

Jo vetëm temperaturat, por edhe ajo me çka ushqehemi helmon spermatozoidët. Sipas statistikave, ne vit njeriu gëlltit të paktën 250 gr pesticide e mikroplastika e substanca kimike.

Në vendin fqinj Italia statistikat mbi pasojat flasin qartë, specifikojnë ekspertët. Sipas tyre, në vitin 2018 janë regjistruar 439 797 lindje, duke shënuar pikën më të ulët që nga krijimi i shtetit italian, ndërkohë që sipas të dhënave të andrologëve, numri i spermatozoidëve tek meshkujt sot, është përgjysmuar në krahasim me 40 vjet më parë. Pra, qelizat riprodhuese mashkullore sot janë më të pakta, dhe kanë shumë më tepër vështirësi për të pllenuar vezën femër.