Në media u shkruajt sot se kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka blerë një vilë të re në “Long Hill”. Ishte Dritare.net, media e cila publikoi dhe një foto të makinës së Bashës teksa futej në kompleksin e vilave dhe shtonte se ai kishte blerë një banesë luksoze aty.

Por pas këtij lajmi ka ardhur një reagim dhe nga Partia Demokratike, e cila e mohon këtë lajm. Sipas reagimit të PD, thuhet se Basha në atë zonë ka marrë një shtëpi me qira, pasi banesa e tij tek pallati ngjitur me stadiumin është dëmtuar nga tërmeti.

“Në disa media është shpërndarë një dezinformim i qëllimshëm lidhur me banesën e kryetarit të PD Lulzim Basha. Pas disa dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, banesa e zotit Basha do të duhet t’i nënshtrohet disa punimeve të domosdoshme. Për këtë arsye zoti Basha dhe familja e tij janë zhvendosur përkohësisht në një banesë me qera, që nuk ka asnjë lidhje me fotot e rreme të shpërndara nga disa portale të kontrolluara nga qeveria. Banesa me qera e familjes së zotit Basha jo vetëm nuk ka pishinë, por është më e vogël sesa banesa e tij në rindërtim. Gjithçka tjetër është trillim i sponsorizuar nga qeveria”, është ky reagimi i PD.