E djeshmja ishte hera e gjashtë në historinë e Milani që humb pesë nga 9 ndeshjet e para të kampionatit. Diçka e tillë ka ndodhur edhe në sezonet 2012-'13, 1941-'42, 1938-'39, 1932-'33 e 1930-'31.
Në tetë ndeshjet “shtëpiake” që Zaniolo ka shënuar, Roma nuk ka humbur kurrë, duke koleksionuar pesë fitore dhe tri barazime. Dy realizime talenti verdhekuq i ka shënuar pikërisht ndaj Milanit.
Tre golat e fundit të Xhekos janë shënuar të gjithë me kokë. Boshnjaku është futbollisti që ka shënuar më shumë gola me kokë në këtë sezon të Serisë A ku në total ka realizuar pesë rrjeta. Sikur të mos mjaftonin këto, Xheko është futbollisti më i moshuar që ka shënuar të paktën pesë herë në pesë kampionatet madhore të Europës.
Me dy gola e një asist, Teo Hernandez ka qenë pjesë e gjysmës së gjashtë golave të fundit të Milanit. Në pesë ndeshjet e fundit kuqezinjtë janë ndëshkuar mesatarisht dy herë çdo 90 minuta.
Milani është skuadra që me gabimet e saj ka mundësuar më shumë goditje në portë nga rivalët (7). Nga ndalesa për kombëtaret në shtator, Milani ka pësuar 12 gola. Vetëm Xhenoa, Sasuolo dhe Leçen kanë bërë më keq se kuqezinjtë.





