Pas disfatës me Laçin, Teuta u ndal këtë javë në një barazim pa gola në transfertë ndaj Bylisit. Megjithatë, përveç dy pikëve të lëna në Ballsh, trajneri Shkëmbi mbase mund të shqetësohet më shumë për repartin e prapavijës.
Kjo pasi në takimin e ardhshëm ndaj Tiranës në shtëpi, durrsakët duhet t’i bëjnë llogaritë pa dy lojtarë titullarë të mbrojtjes si kapiteni Renato Arapi dhe Todorovski.
I pari u ndëshkua me karton të verdhë dhe në këtë formë plotësoi numrin, teksa tashmë duhet të marrë një pushim të detyruar për një ndeshje.
Ndërkohë, Todorovski u ndëshkua me të kuq dhe është i pezulluar. Një ‘dhimbje koke’ për trajnerin korçar, i cili përballë do të ketë një skuadër me cilësi në repartin ofensiv si Tirana.





