Nga foltorjae Kuvendit, deputeti i opozitës së re, Ralf Gjoni ka vendosur t'i përgjigjet gazetarit Mentor Kikia, i cili shkruante më herët se "nuk i duroj më këta karagjozë që paguhen si deputetë me paratë e mia", dhe se duhen urgjentisht zgjedhje të parakohëshme.
Pa ia përmendur emrin, Gjoni iu drejtua analistit se duhet të merret me thelbin e problemit jo me opozitën në Kuvend.
"Lexova një shkrim të njërit që quhet analist, që thoshte se problemi në vend jemi ne, opozita e re në Kuvend, dhe se duhet të bëhen urgjentisht zgjedhje të parakohshme. Në vend që analisti të merret me thelbin e problemit, merret me faktin se problemi qenka opozita në Kuvend. Mirë mo analist i nderuar, me këtë Kod Zgjedhor, çfarë përfaqësimi do të kesh ti analist i nderuar në Kuvend? Lista të Bajraktarëve që i komandojnë me Whatsapp. Injorohet edhe fakti tjetër që për herë të parë në 10 vite flitet për listat dhe për sistemin. Z.Balla ju folët për OSBE/ODIHR, duhet depolitizuar KQZ. Do flasim në Komision edhe për transparencën, por nëse doni t’a votojmë, s’ka Reformë me 2 faza. KQZ dhe Administrata Zgjedhore s’duhen të kenë më influenca partiake. Partitë duhet të heqin duart nga sistemi Zgjedhor, me propozime konkrete. Hajde hapim listat dhe bëjmë zgjedhje që këtë pranverë. Jemi gati të përfaqësohemi me emra të pastër dhe jashtë çdo bajraktarizmi."





